Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga atëntati me eksploziv që ndodhi pak para mesnatës së djeshme në qytetin e Fierit.
Sipas burimeve të ‘’Fax News” bëhet me dije se pista kryesore në të cilën po heton Policia për atentatin ndaj Ervin Memos, është konflikti për çështjet e pronësisë.
Mësohet se familja e tij ishte në proces gjyqësor, dhe ka qenë pikërisht 38-vjeçari ai që ndiqte seancat.
Gjatë natës në Fier kanë mbërritur ekspertë të kriminalistikës nga Tirana, për shkak se ky atentat ka qenë i tipit mafioz dhe i mirëmenduar. Në zonën ku ka ndodhur shpërthimi ka disa biznese, të cilave iu janë sekuestruar kamerat e sigurisë.
Sipas burimeve nga spitali i Fierit, Memo i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, po fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetë, pavarësisht plagëve të shumta në fytyrë dhe copave të xhamave që i kanë hyrë në të gjithë trupin.
Memo kishte disa vite që ishte kthyer nga Greqia, ndërsa ishte banor në zonën ku ndodhi shpërthimi. Në Fier ai merrej me vreshtari që i kishte në periferi të qytetit.
(E.K/FAXWEB.AL)