Që ne shqiptarët bëhemi copë kur kemi të ftuar në shtëpi, kjo dihet prej vitesh, madje ky është një nga vitytet që na vlerësohet më shumë edhe nga të huajt. E sigurisht që për një familje dibrane, të humbur atje mes punëve të përditshme, baltës e shiut, ardhja e kryeministrit të vendit shënon një event të veçantë.
Organizimi në maksimum, gratë me siguri që janë ngritur prej mëngjesit për të bërë gjithçka gati, për të pritur atë, ‘’liderin e vendit”. Kjo ka ndodhur dje në familjen e Shaqir Toskës, fëmijët e së cilës, ndoshta e kishin për të parën herë që shihnin një ekip special xhirimi, e që e do ta ndiqnin veten në televizor.
Futjes së kryeministrit Rama në banesë, i ka paraprirë një pritje që familja i ka bërë që atje lart oborrit, ku balta e një dite me shi zor se hiqet nga këpucët. Është shumë të kërkosh asfalt në këto zona, qindra kilometra larg Tiranës. E si për ‘ti uruar mirë e mirë mirëseardhjen, të zotërit e shtëpisë kanë menduar të vënë në rradhë edhe fëmijë.
Njërin prej tyre, ashtu e mendon grupi i njerëzve pranë Ramës, kryeministri duhet ta marrë në krah, tek e fundit ai është shumë i dashur me fëmijët, duke marrë parasysh që djali dibran nuk ka as më shumë dhe as më pak se moshën e Zahos.
Mirëpo jo të gjitha ishin menduar, balta kishte njollosur edhe atletet e fëmijës, që nëna e tij me nxitim u përpoq tia hiqte nga këmba, e s’mundi dot! Balta tashmë kishte njollosur xhaketën e kryeministrit, i cili me nxitim e fshiu.
E ç’faj kishte fëmija, sa kohë që ai është mjaft i vogël për të ndrequr rrugën. Përgjegjësitë bienë tjetërkund!
(E.K/FAXWEB)
https://www.youtube.com/watch?v=HJiDLhSZdbc&feature=youtu.be