”Po e nis si motra, meqë motra e madhe ja ku është dhe ka 13 motra të tjera. Dhe këtë e them si në raport politik dhe personal. Krimi e ka kapur dhe po e mban peng!”, iu kundërpërgjigj sot kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, Edi Ramës, me ironi, pas ditës së djeshme kur kreu i qeverisë e quajti LSI-në ”motër”.
Kryemadhi e ka ironizuar lidhur me të qarën, për të cilën komentoi se kishte derdhur lot, edhe pse nuk specifikoi se ku.
”Në fakt më erdhi keq kur e pashë duke qarë, derdhte lotët, ky është një aktor i madh! Kërkon ta ktheje Shqipërinë në një teatër të madh.”, e ka cilësuar Kryemadhi-Ramën.
Dje Kryemadhi publikoi një foto të Edi Ramës me disa persona që e rrethonin, duke komentuar ”Edi Rama me koalicionin e tij të krimit! Këto janë pjesa e tepsisë dhe drejtuesit e timonit!”.
Sot kryetarja e LSI-së komentoi, teksa e pyesnin pa mikrofon nga salla për foton e Ramës duke thënë: ”Jo jo nga ne është i lirë, pse ka frikë nga foto, po të jetë se është në burg thotë ”Më falni”.
”Po të jetë burrë thotë që unë kam qenë aty, nuk e dija që ai person ishte në kërkim, do ta kthejë këtë vend në një teatër. Shumë shpejt bandat do dalin në rrugë dhe do thonë që të ikin shqiptarët. Doni të flasim për tollumat, hajde flasim se ato ëmbëlsira janë, po kam hallin e një tollumi tjetër që është ai i krimit, që hyn dhe nuk të del më!”, theksoi më tej Kryemadhi.
FJALA E PLOTË:
”Po e nis si motra, meqë motra e madhe ja ku është dhe ka 13 motra të tjera, dhe këtë e them si në raportin politik dhe në raportin personal. Krimi e ka kapur dhe nuk e lëshon në asnjë sekondë. Ky njeri është peng, dhe do të mbajë peng ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Pse ka frikë ky zotëria nga fotot? Po të jetë burrë thotë: po unë jam aty, nuk e dija që ishte në kërkim, kam dalë në fotografi, kërkoj falje. Po e ka ditur shumë mirë. Në fakt me erdhi keq, kur e pashë duke qarë që nxorri lotët, po ky është një aktor i madh. Ky do t’ju marri lotët edhe nënave që bandat ju kanë vrarë fëmijët. Ky kërkon ta kthejë Shqipërinë në një teatër eksperimental, ashtu siç janë këto projektet eksperiementale.
Dje pamë se si oligarkët bënin protestë për TVSH-në, mos u çudisni shumë shpejt do të kemi bandat që do bëjnë protestë në shesh dhe do thonë poshtë shqiptarët, të largojmë shqiptarët. Mos u çudisni, shumë shpejt. Thotë pse ne paskemi hallin e krimit dhe flasim vetëm për krimin. Ta fillojmë me shëndetësinë? Të fillojmë me koncensionet? Kemi dhe Milvën këtu, e di shumë mirë ajo si e ka bërë dhe çfarë ka bërë. Do të shikojmë dhe këto të koncensioneve të shëndetësisë dhe do dalin në protestë dhe ato dhe do thonë: protestë që të vijnë shqiptarët të bëjnë check-upin! Këtë kemi ne, Shqipëri eksperimentale.
Do të flasim për ekonominë? Të flasim për TVSH-në? Të flasim për taksat? Të flasim për rritjen e çmimeve? Apo të flasim edhe për sigurimin e detyruar të pronës, sepse vëllai i tij ndan apo jeton në shtëpinë e njërit që ka pronë kompani sigurimesh. Pra vazhdojmë dhe jemi në funksion të oligarkëve. Doni të flasim për arsimin, ku ta kapim ku ta lëmë. Një tmerr, të flasim për policinë, për ça të flasim. Kemi hallin e tullumbave, ne fakt tullumbat janë të mira, nuk janë të këqija, ëmbëlsirë janë, por kam hallin për një tullumb tjetër i cili është shumë i rrezikshëm, është tullumbi i krimit i cili po hyri nuk del më sepse të mban peng dhe nuk të lëshon më kurrë. I përdori më 25 qershor si bodyguard, si ushtar, si miq ,si shok, si shok tavolinash dhe sot të kërkojnë haraç. Dhe haraçi i tyre është përgjakja nëpër rrugët e Shqipërisë.
Kur përmende pronësinë e fajit që ti e thua me fjalë të pahijshme si ato që përdor çdo ditë, më duket sikur flet Frojdi brenda vetes tënde, e përmende dy herë gjatë fjalimit tënd, që faji është, nuk e përmend se kam hall se më përjashton Gramozi. Qetësohu se e njohin të gjithë humbjen e qetësisë tënde kur të dridhet ty karrigia. Qetësohu sepse kur humb qetësinë Frojdi brenda vetes tënde të thotë gjëra të tmerrshme dhe shqiptarët do të mësojnë atë se çfarë ti je vërtet, atë që bashkëpunëtorët e tu e dinë më mirë se kushdo tjetër. ÇMENDURINË TËNDE!”
(V.G/SHUPLAKA)
Fotoja e Edi Ramës publikuar dje nga Monika Kryemadhi