Financieri i grupit kriminal të Habilajve, Nazer Seiti, mësohet se nuk ka dëshmuar sot për llogari të prokurorisë së Katanjas.
Procesi i marrjes në pyetje i kërkuar nga avokati italian u anulua. Sot në mesditë Seiti është zhvendosur në Romë, ku pritej të firmoste një marrëveshje me prokurorinë Italiane për hetimet ndaj grupit Habilaj, pjesë e së cilës është edhe ai.
Nuk dihet se pse njeriu i konsideruar si truri i organizatës është vënë në dilema për të rrëfyer gjithçka ai di për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë, por burimet mediatike bëjnë të ditur se në Romë kanë mbërritur familjarët e tij.
Në kryeqytetin e Italisë ai ka takuar bashkëshorten dhe fëmijët. Familjarë e tij kanë mbërritur në Romë, një ditë më parë, pas lajmit se ai do të pranonte të bashkëpunonte. Të kontaktuar në telefon ata nuk pranojnë te deklarojnë arsyet, por ajo që lihet të kuptohet është frika për të dëshmuar.
Nëse Nazer Seiti pranon të dëshmojë përgjegjësia nuk mbetet vetëm në rrethin e Habilajve. Drejtues të lartë të kupolës së Policisë së Shtetit, si dhe ata të disa prej komisariateve më të rëndësishme në Jug të vendit, si Vlora, Fieri dhe Gjirokastra, përfshihen drejtpërdrejtë si bashkëpunëtorë.
Nëse ai do të flasë, familja e tij do të vihet në rrezik. Hetimet në Shqipëri për të që pas ekstradimit të beftë, nuk vijojnë më.
Në dëshminë e tij dhënë pas arrestimit në Vlorë, Nazer Seiti, rrëfeu diçka në lidhje me mënyrën se si operonte në trafikun e narkotikëve. Ai shfrytëzonte portet e Malit të Zi dhe Greqisë, ku pasi fiksonte mjetin e duhur, paguante njerëz të cilët e vidhnin dhe ia transportonin në Vlorë, të gatshëm për rrugën e radhës.
Por ka dhe dëshmi të cilat janë dhënë prej tij, përpara oficerit të policisë gjyqësore, që mbeten për t’u verifikuar tashmë nga hetimet e prokurorëve Italian.
Nazer Seiti është personi kyç i dosjes ‘Habilaj’ dhe dëshmia e tij pritet të zbardhë një nga skemat më të mëdha të përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë në trafikun ndërkombëtar të drogës.