Njerëzit kanë nisur plazhin prej thuajse dy javësh, në bregdetin e Velipojës e megjithatë pak kilometra më lart, po në qarkun e Shkodrës dhjetëra banorë janë të izoluar nga bora. Një situatë e tillë nuk mbahej mend prej kohësh që në muajin maj, Thethi të vazhdonte izolimin i cili tashmë zgjat prej 5 muajsh.
Banorët i bëjnë apel shtetit, që të ndërhyjë për zhbllokimin e rrugës dhe gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për këtë problematikë e cila i shoqëron prej vitesh, duke e parashtruar si të vetmen kërkesë ndaj atyre që kanë për detyrë ti shërbejnë.
Për të inspektuar nga afër situatën në Theth, ka qenë edhe Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja ku edhe ai ashtu si banorët e Thethit, ka përshkuar rrugën e vjetër nga Kiri, ku për më shumë se 6 orë i është dashur të mbërrijë në Theth, ndërkohë që është shprehur se për pak ditë rruga do te jetë e hapur.
Thethi, vuan ende izolimin edhe pse kanë nisur turistët e parë të cilët pëlqejnë aventurën, por nuk pranojnë kurrsesi një situatë të tillë. Emergjencat civile kanë heshtur, edhe pse para sezonit të reshjeve të dëborës vetë Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premci deklaroi se nuk do të ketë bllokime këtë sezon, megjithate realiteti i trishtë tregon qartë se shteti dështoi për të mbajtur hapur këtë rrugë dhe për nxjerrë nga izolimi këto banorë. (b.s/faxweb.al)