Nga Valmora Gogo
Prej disa ditësh vëmendja e qytetarëve dhe zërave të opinionit publik është fokusuar te rritja e çmimit të ujit për metër kub: nga 45 lekë në 65 lekë. E shoqëruar edhe me protesta, qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë, ndërsa pak orë na ndan nga mbledhja e Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së janë pozicionuar kundër rritjes së çmimit të ujit. Megjithatë pas gjithë këtij debati fshihet diçka edhe më e madhe. S’ka të bëjë me rritjen e çmimit, por me një tjetër ”Projekt” të kryebashkiakut Veliaj, që ka gjasa të kalojë fare pa u vënë re: Miratimin e një skeme koncensioni për ndërtimin e plot 17 shkollave në kryeqytet.
Dy ditë më parë ”Exit.al” nxori i pari informacionin rreth këtij projekti, shumë ambicioz sa u përket kostove por sot ”Shuplaka” zbulon relacionin për kontratën TIP, e cila do të kalojë për vendim po sot, pas disa orësh në Këshillin Bashkiak, ku thuhet qartësisht: ”Ndërtimi i këtyre 17 shkollave të reja përmes një skeme koncensioni/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncensionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtashëm.”
KOSTOT E ”STRATOSFERËS”, KONCESIONI QË PO KALON NË HESHTJE
Mbi 460 mijë lekë të vjetra për metër katrorë. Kaq ka llogaritur projektuesi i Veliajt për koston e ndërtimit të shkollave. Mbi 54 miliardë lekë të vjetra do të kushtojë ndërtimi për 17 shkollat (5,406,768,353 lekë të reja).
”Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kosto e mobilimit, kosto e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kosto direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë.”, thuhet në relacionin e kontratës TIP.
Si do të punohet me koncesionarin? Fare thjeshtë sipas llogarive të bashkisë: për 7 vjet do të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë që i përdor bashkia.
”Duke qenë se koncensionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7 vjeçare, atëherë ai do duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7 vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%.”, thuhet më tej.
Mendoni se 54 miliardë lekë është kostoja totale? JO! Asaj do t’i shtohen miliarda të tjera.
”Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kosto totale e skemës së koncensionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë. ”, sqarohen miliardat ”stratosferike”, mbi 79 miliardë lekë të vjetra.
MËNYRAT E PROKURIMIT
Veliaj me projektuesit e tij mendon se ky koncesion jo vetëm është fitimprurës për sektorin privat, por ”lehtësisht i realizueshëm brenda mundësive buxhetore të Bashkisë Tiranë”.
”Këstet vjetore që do t’i paguhen koncensionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave. Në këtë mënyrë, ky koncension/partneritet publik privat nuk e vendos aspak në vështirësi kapacitetin financiar të Bashkisë Tiranë, duke bërë të mundur që fondi i invesimeve dhe gjithë zërat e tjerë të buxhetit të mbeten të paprekur.”, thuhet më tej.
Për prokurimin Veliaj mendon se një kontratë me koncesion/PPP është më e dobishme. Vërtet?! Dyshohej të thuhej ndryshe për këtë plan që po kalon në fshehtësi kaq të madhe?!
”…realizimi i këtij projekti nëpërmjet dhënies së një kontrate me koncension/PPP është më e dobishme krahasuar me mundësinë e dhënies përmes një kontrate prokurimi publik. Për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes metodave tradicionale të prokurimit, Bashkia Tiranë mund të përdorë tre mënyra: prokurimin e drejtpërdrejt të menjëherëshëm të 17 shkollave të reja, prokurimin e 17 shkollave të reja duke e shtrirë në një periudhë 3-vjeçare dhe prokurimin e një apo disa shkollave në vit sipas mundësive të veta financiare.”, thuhet në relacion ku shtohet se duke pasur parasysh koston totale të projektit, dy mundësitë e para janë dukshëm përtej mundësive financiare të Bashkisë Tiranë.
”Pra, përmes këtyre dy metodave tradicionale të prokurimit, projekti është financiarisht i parealizueshëm. Mundësia e tretë e sipërpërmendur nuk e realizon plotësisht projektin pasi përmes saj mund të ndërtohen vetëm 14 nga 17 shkollat që nevojiten. Gjithashtu, edhe 14 shkollat që mund të ndërtohen, nuk ndërtohen menjëherë por përgjatë 9 viteve të ardhshme.
Në ndryshim nga tre mundësitë e prokurimit tradicional të projektit, me skemën e propozuar të koncensionit/partneritetit publik privat, projekti është jo vetëm i realizueshëm menjëherë dhe me fizibilitet, por edhe pa kosto shtesë për buxhetin e Bashkisë Tiranë duke qenë se ai nuk e prek fare fondin e investimeve për vitet e ardhshme. Përmes kësaj skeme, Bashkia Tiranë e zgjidh brenda dy viteve të ardhshme problemin e mbipopullimit dhe të zhvillimit të mësimit me dy turne. ”, përfundon versionin e saj bashkia.
Pas gjithë këtyre detajeve që ”Shuplaka” ka mundur t’i mësojë me të drejtë lindin disa pyetje:
-Pse u mbajt i fshehtë ky koncesion?!
-A duhej diskutuar mënyra më efikase për ndërtimin e 17 shkollave, për të cilat ka nevojë Tirana?!
-Cilat janë kompanitë që do përfitojnë?!
-Si do pozicionohen këshilltarët e PD-së dhe LSI?!
– A u nxit debati për rritjen e çmimit të ujit me qëllim mbulimin e miliarda lekëve të tjera, vendimi për të cilat po kalon pa u diskutuar aspak?!/SHUPLAKA
Në GALERI: Relacioni i KONTRATËS TIP, agjenda e mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2508″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]