Për shpëtimin e Ndriçim Xhepës qeveria ka miratuar vendimin që i akordon një fond financiar prej 5 milionë lekë të reja për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të tij në një klinikë jashtë vendit.
Sipas VKM-së, ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Artisti Xhepa vuan prej disa kohësh nga një sëmundje e cila ka nevojë për kurim jashtë vendit. Për këtë sëmundje ka folur edhe vetë së fundmi artisti ku ka ka thënë se nuk është një gjendje alarmante por një situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
“Nuk është gjendje alarmante por një situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Kam një ftohje të vjetër që më rikthehet herë pas here. Si pasojë mushkëria ka krijuar një masë, që duhet hequr. Por meqë këtu nuk janë mjetet e nevojshme për këtë ndërhyrje, me ndihmën e një fondi do mund të realizohet në Gjermani. Pas dhjetë ditësh do të jem sërish në Tiranë”, u shpreh Ndriçim Xhepa për “Tirana Post”.
Xhepa kohët e fundit ka munguar edhe në teatër për shkak të problemeve në mushkri.
VENDIMI:
Nr. 540, datë 9.10.2017
PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. NDRIÇIM XHEPA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit
2017”, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjës “c”, të pikës 9, të vendimit nr. 18, datë 11.1.2017, të
Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e
detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2017”, me propozimin e ministrit të
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Ndriçim Xhepa, në masën 5 000 000 (pesë milionë)
lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të
Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. (J.V/Shuplaka)