Janë të paktën 18 rekomandime në projektrezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për Bankën Qendrore të lidhura me aktivitetin e saj në vijim. Ashtu sikurse pritej një vëmendje e veçantë i është kushtuar politikës së stimulimit të përdorimit të monedhës vendase si dhe efektit të mundshëm të saj në kursin e këmbimit. Konkretisht lidhur me deeuroizimin Kuvendi i kërkon BSH-së që “të ndjekë në vazhdimësi zhvillimet financiare dhe ekonomike në vend, për të vlerësuar efektet që do të ketë aplikimi i masave të marra për uljen e përdorimit të monedhës euro në ekonomi në funksion të rritjes së efektivitetit të politikës monetare dhe forcimit të stabilitetit financiar, si dhe të konsiderojë ndërhyrjet e duhura drejt stabilizimit të kursit të këmbimit, për të mos cenuar konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare”.
Edukimi i biznesit dhe publikut të gjerë është lënë si detyrë më vete ku një ndër elementët që duhet të merret në konsideratë është vënia e theksit tek “ngërçi” që ekziston lidhur me konceptet “leku i ri” apo “leku i vjetër”.
“Nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronikë të pagesave dhe rritja e transparencës janë rekomanduar gjithashtu për tu ndjekur nga afër. Të nxisë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave nëpërmjet përmirësimit të kuadrit rregullativ, zhvillimeve infrastrukturore dhe investimit në edukimin financiar të publikut, për të garantuar qarkullimin e sigurt, të shpejtë dhe me kosto të ulët të parasë në ekonomi.
Të forcojë më tej mirëqeverisjen e Institucionit nëpërmjet forcimit të pavarësisë dhe rritjes së llogaridhënies. Të rrisë transparencën mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë përmes zgjerimit të informacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kanaleve të komunikimit me publikun dhe grupet e ndryshme të interesit” thuhet në dokumentin e Kuvendit.
Mes të gjitha çështjeve nuk mungon as një pikë për ish-Hotel Dajtin. Godina që u ble nga Banka për 30 milionë euro në vitin 2010 është në fazë rikonstruksioni dhe Kuvendi ka nënvizuar se duhet të bëhet një ndjekje me rigorozitet e ritmit të punimeve në godinën e ish- Hotel Dajti-t për të bërë të mundur funksionimin e kësaj godine në një kohë sa më të shkurtër.
Burimi: Monitor