Zbardhet ngjarja që u shënua si “aksidentale” e një 33-vjeçari në Spitallë të Durrësit, e ndodhur 9 ditë më parë, por që dyshohet se është vrasje me motive të dobëta. 35-vjeçari Majlind Habibi u arrestua ditën e djeshme nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet për hedhjen nga ura të shokut të tij, 33-vjeçarit Branko Shkoza, më 2 dhjetor.
Të dy të rinjtë, me njohje mes tyre, kanë qenë të dehur momentin e konfliktit, kurse shkak dyshohet se është bërë ngacmimi i gruas së autorit nga viktima, por hetimet janë ende aktive për rastin. Pas ngjarjes, i dyshuari e ka fshehur krimin, duke mos treguar, derisa trupi u gjet pas tri ditësh kërkime. Policia e Durrësit reagoi për ngjarjen, duke dhënë edhe detaje të hetimeve paraprake.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur prej datës 2 dhjetor të këtij viti, por trupi i 33-vjeçarit Shkoza u gjet më 5 dhjetor, pas kërkimeve dhe denoncimit që kishte bërë babai i viktimës. Fillimisht u njoftua për ngjarje aksidentale, rënie nga ura mbi kanalin e ujërave të zeza dhe për pasojë humbjen e jetës. Ekspertimi paraprak nxori këtë konkluzion.
DËSHMIA E AUTORIT
“Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte bashkëshorten. Ai mu përgjigj shumë keq, më ofendoi. Me tha ‘shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote’.
Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lash aty. Nuk mendova se kishte vdekur. Thashë me vete se do ngrihet prapë, se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi. Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm e pashë që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi.
Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia e ambulanca thashë nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë, se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë”, bëhet me dije se ka deklaruar autori para hetuesve.