Pak minuta pas ekzekutimit të Kastriot Reçit në qendër të Rrëshenit, të gjitha pistat e hetimit duket të jenë drejtuar drejt një çështje, atë të hakmarrjes, që lidhet me disa ngjarje të rënda që kanë tronditur më herët veriun e vendit.
Nëse fillimisht në media u risoll vrasja e Gasper Reçit, të vëllait të Kastriotit në Itali, një tjetër ngjarje e rëndë me të cilët dyshohet të lidhet krimi i sotëm ka ndodhur pikërisht në Gushtin e muajit të kaluar, ku në një atentat barbar u vra Armando Gjini, në sy të dy fëmijëve të mitur.
Edhe pse nuk u tha kurrë publikisht, burime nga prokuroria e Lezhës bëjnë me dije se si autor, ose porositës i vrasjes së Gjinit dyshohet të ketë qenë pikërisht Kastriot Reçi, si një hakmarrje ndaj të vrasjes së të vëllait të tij në Romë.
Por historia nuk është kaq e afërt, pasi janë disa vrasje të tjera që kanë nisur zanafillën e krimeve, që lidhen pikërisht me ”të bardhën”, trafikimin e saj, dhe që lidhet me dy familjet Reçi dhe Gjini, dhe që e kanë pikënisjen në ekzekutimin e Sajmir Jakut ish-drejtor në OSHEE për veriun, i ekzekutuar paraditen e 9 shtatorit të vitit 2016.
Në total janë 5 vrasje që kanë ndodhur në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë që derivohen nga një konflikt mes dy familjeve me influencë në qytetin e Rrëshenit, por që për të cila nuk ka pasur asnjë person të arrestuar dhe të vendosur përpara drejtësisë.
Rrëshen – 9 shtator 2016 (Sajmir Jaku)
Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE Saimir Jakun ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij.
Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan, duke bërë që ngjarja të mbetet e pazbardhur deri në momentet që flasim.
Itali- 28 Prill 2017 (Gasper Reçi)
Një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni është ekzekutuar në 2017-tën banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata.
Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje.
Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Belgjikë 06 Shtator 2017 ( Kreshnik Gjini)
Kreshnik Gjini 31 vjeç u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.
Kreshnik Gjini punonte kamarier në një lokal në Saint-Denis. Mbrëmjen e së martës, ai mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës.
Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ndërsa vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej tyre nuk është ndaluar apo arrestuar njeri. (Lexo edhe këtu lajmin)
Vrasja e Armando Gjinit, gusht 2019
Armando Gjini i cili u ekzekutua në Gusht të 2019-tës me armë zjarri në qendër të Rrëshenit, njihej si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që ai ka marrë atje si koka e një rrjeti të madh të trafikut të lëndëve narkotike.
Pikërisht pas vrasjes së tij dyshohet të ketë qenë Kastriot Reçi i cili u ekzekutua gjatë ditës në muajin Gusht. (Lexo këtu më shumë për detaje)
Vrasja e Kastriot Reçit
47-vjeçari u ekzekutua sot pranë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa ishte duke ecur me këmbë. Sipas dëshmitarëve në drejtim të Reçit është qëlluar me snajper, duke e bërë atë viktimën e dytë brenda familjes.
Reçi ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë, si dhe dyshohet se ka pasur influencë mbi disa biznese të tjera në zonë.
(E.K/Faxweb.al)