Veç e Shuplakës

6 Manipulimet e Ramës, zbërthimi germë për germë i shpjegimit pse shpëtoi Tahirin

Duke lënë mënjanë gjithë breshërinë e ofendimeve dhe tentativën për intimidim të Edi Ramës ndaj gazetarëve, le të zbërthejmë fjalë për fjalë, me një analizë të thjeshtë teksti se çfarë tha dje para shqiptarëve për Saimir Tahirin, kryeministri i vendit.

Le t’i lëmë jashtë ofendimet për gazetarët, ato thjesht tërheqin vëmendjen nga një skandal më i madh: Tahiri!

MANIPULIM 1- Tha Rama:

”Ju akoma s’keni marrë vesh që së pari imuniteti i deputetit ka rënë prej kohësh. Nuk jemi këtu në një situatë kur diskutojmë t’ia heqim apo t’ia lëmë imunitetin”

Neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë tregon se si prokuroria duhet të kërkojë autorizim te Kuvendi për arrestimin e një deputeti duke i dhënë në këtë mënyrë atij një status ndryshe nga çdo njeri i zakonshëm.

Ndërkohë që neni 118 i Rregullores së Kuvendit përcakton një pjesë shumë interesante, që sipas kryeministrit të vendit nuk ekzistoka: Heqjen e Imunitetit të Deputetit. Dhe ja çfarë thotë pikërisht pika e parë e nenit: ”Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. ” Po Kushtetuta,  neni 103 i saj thotë se ministri gëzon imunitetin e deputetit. Vërtet?! Pra deputeti paska imunitet?!

Manipulimi i dytë për publikun  ka të bëjë me zgjedhjen e shembullit për të paralelizuar situatën e Saimir Tahirit.

MANIPULIM 2-Tha Rama:

”Cili prej jush do pranonte që pronari ta çonte në burg me idenë që mbase dikush nga ju ka vjedhur një mikrofon…”

Vjedhjen pra, e paralelizoi me një prej dy akuzave ndaj Tahirit që është shumë herë më e rëndë se ajo: ”Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”.

Manipulimi i tretë ka të bëjë me rolin e gjykatës. Gazetari që e intervistonte ia tha përballë se këtë e vendos gjykata.

MANIPULIM 3-U përgjigj Rama:

”Këtë nuk e vendos gjykata se edhe këtë ju nuk e keni kuptuar dhe s’keni si ta… sepse po të ishte kështu siç thoni ju atëherë për ç’arsye dhe cili është roli që e përfshin Kuvendin e Shqipërisë në këtë rast, dini të ma thoni?

Çfarë është Kuvendi i Shqipërisë, një studio noteri?! Që vjen të firmosësh dhe vulosësh një certifikatë?! Çfarë është komisioni i mandateve, një tufë hunjsh që thjesht janë aty për t’u tundur sipas muzikës që i ofron prokuroria?! Pse s’e keni kuptuar këtë akoma?! Dhe këtu nuk bëhet fjalë për imunitetin, po ua përsëris, këtu bëhet fjalë për një gjë shumë ekstreme: Arresti me burg.”

Por kryeministri i vendit merr në këtë rast rolin e gjykatës, madje duke paragjykuar çdo vendim të saj. Është gjykata që në bazë të shqyrtimit të saj vlerëson nëse një arrest është i ligjshëm apo jo . ”Arresti me burg” është masë sigurie, që jepet po nga gjykata.

Por me sa duket pyetja e gazetarit nëse drejtësia mbrohet duke u kthyer Këshilli i Mandateve dhe Maxhoranca në gjyqtar, Ramës nuk i ka ardhur e ngrohtë.

MANIPULIM 4-Tha Rama:

”Jo, në gjyqtar nuk kthehet as Kuvendi, as Ministri dhe as Këshilli i Mandateve. Por para se të bësh një pyetje kaq pavend, shko lexo dhe shko kupto…

Cili është roli i Kuvendit dhe cili është roli i Këshillit të Mandateve, pse duhet të vijë kjo kërkesë në Kuvend?! Nëse do ishte kështu siç thua ti, kërkesa nuk duhet të vinte fare këtu!

Duhet të shkonte drejtpërdrejt në gjykatë! Për çfarë arsye vjen këtu?! Dhe për çfarë arsye përshkrimin e punës së këshillit të komisionit të mandateve thuhet qartësisht se është aty për të vlerësuar relacionin dhe provat Për çfarë?! Pse është aty, që të rrijë edhe të dëgjojë?!”

Rama mbrojti rolin e këshillit, por a e di z.kryeministër se provat ka autoritetin legjitim vetëm gjykata që t’i vlerësojë?! Me çfarë tagri një deputet vlerëson nëse diçka e gjetur nga prokuroria përbën apo jo provë?!

MANIPULIM 5-Tha Rama:

”Kam thënë se dua të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe këtë e dua nga drejtësia!”

Për çfarë drejtësie e ka fjalën?! Për arsyetimin e prokurorisë, institucion që është pjesë e procesit të të bërit të drejtësisë, që 5 deputetët e tij hodhën poshtë?!

MANIPULIM 6- Tha Rama:

”Është një e vërtetë shumë e thjeshtë, që këtu nuk bëhet fjalë për imunitetin, që hetimi ka filluar, që prokuroria i ka të gjitha mundësitë me pranimin e kërkesës nga ana jonë për të çuar hetimin deri në fund dhe ndarja është shumë e thjeshtë, midis arrestimit të një deputeti apo kujtdoqoftë në këtë vend pa asnjë provë apo hetimit deri në fund me provat e pretenduara, çfarëdo të jenë ajo është punë e prokurorisë, ne nuk ndërhyjmë! E kuptoni sa e thjeshtë është?! Ja kaq e thjeshtë!

Pyetja a jeni dakord të hiqet imuniteti është një pyetje idiote dhe kësaj pyetje idiote unë i përgjigjem shumë thjesht: nuk ka.”

Kujtdoqoftë?! Shikoni se si Rama manipulon publikisht, duke barazuar statusin e deputetit me atë të çdo njeriu të thjeshtë të këtij vendi. Po të kishte qenë njësoj me të tjerët, a do ishte prangosur brenda 10 minutash Tahiri?! E gjitha në ndihmë të retorikës së tij politike. 

Në citimin e mësipërm Rama thotë se nuk ndërhyn në punën e prokurorisë, duke folur edhe për prova të pretenduara, po pse në rastin kur Tahiri është i lirë Rama është kaq tolerant me prokurorinë dhe kur prokuroria kërkon autorizimin për arrestim me dy akuza kaq të rënda ”nxjerr thonjtë?!”

Valmora Gogo-Faxweb

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *