Vetëm pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë konfirmoi praninë e variantit të ri të Covid-19, Delta, prezenca e të cilit në vendin tonë u konfirmua edhe nga Laboratori i Referencës në Berlin. Sipas anëtarëve të Komitetit Teknik, kjo shpjegon edhe rritjet e infektimeve në 2 javët e fundit.
Ishte Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico e cila ka konfirmuar se janë 10 bashki në të cilat qarkullon varianti i ri:” Varianti Delta u konfirmua në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Peqin, Mat dhe Vlorë”,u shpreh ajo.
Por, shefja e epidemiologjisë në Shkodër, Dhurata Hysaje kontaktuar nga Fax News në lidhje me situatën atje, e ka mohuar faktin e të paturit raste pozitive me variantin e ri Delta. Sipas saj deri më tani nuk ka asnjë rast të paraqitur të pacientëve që kanë rezultuar pozitiv me këtë variant duke e përgënjeshtruar njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetsisë.
Bashkia Shkodër renditet ndër bashkitë me numrin më të vogël të rasteve aktive me Covid-19 dhe me numër më të lartë vaksinimesh.