I ka dhënë fund arratisë Kastriot Hasalla, i cili dyshohet se vrau me armë gjahu kushëririn e tij Romeo Hasalla dhe plagosi babanë e tij Shaip Hasalla, 65 vjeç dhe dy vëllezërit Emiljano dhe Laert Hasalla, 31 vjec. Ai është dorëzuar paraditen e kësaj të shtune i shoqëruar edhe nga avokati i tij në policinë e Lushnjes.
Tv Klan ka mundur ti marrë një intervistë Kastriot Hasallës, ku ai pranon autorësinë e krimit. 49-vjeçari thotë se ai është personi i vetëm që ka qëlluar ndaj kushërinjve të tij, ndaj dhe kërkon lirimin e djalit dhe vëllait të tij të ndaluar pak orë pas ngjarjes.
Ndërkohë që avokati i tij sqaron se ngjarja ka ndodhur pa paramendim. Për dy të ndaluarit e tjerë, Afrim e Mario Hasalla, vëllai dhe djali i Kastriot Hasallës, u dha nga Gjykata e Lushnjes masa arrest me burg. Mbi ta rendon akuza vrasje ne rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë.
Dy të ndaluarit nuk e kanë pranuar akuzën duke pretenduar se ishin për të punuar tokën dhe u ndodhën në mes të sherrit. Edhe ata u vetëdorëzuan disa orë pas ngjarjes në Policinë e Divjakës.
Ngjarja me 1 viktime dhe 3 të plagosur ndodhi mëngjesin e së enjtes në fshatin Garunjas të Lushnjes dhe shkak për të u bë pronësia e tokës e cila pretendohej nga të dyja familjet e të njëjtit fis.
(E.H/Faxweb.al)