Javët dhe ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar shifra të larta të infektimeve me koronavirus. Për këtë arsye, ambasada gjermane në Prishtinë ka njoftuar se ka reduktuar numrin e terminëve për aplikim për viza.
“Për shkak të rritjes së numrit të Covid-it dhe variantit Omikron, i cili po përhapet edhe në Kosovë, përkohësisht numri i termineve që vihen në dispozicion çdo ditë për aplikime për viza është dashur të reduktohet ndjeshëm”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të bërë në faqen e ambasadës, thuhet se ekziston mundësia që edhe terminët e konfirmuar mund të anulohen apo shtyhen.
“Nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe terminet që janë rezervuar dhe konfirmuar tashmë mund të anulohen/shtyhen. Nëse e keni rezervuar një termin, ju lutemi kontrolloni rregullisht kutinë tuaj të postës elektronike”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.
Kujtojmë se dje në Kosovë janë konfirmuar 728 raste të reja me COVID-19.