Pas finales magjike një muaj më parë në Tiranë, ku arriti të ngrejë trofeun e parë evropian me Romën, Marash Kumbulla tani po pushon, ashtu si shumë futbollistë të tjerë në këtë periudhë, para se të vihet sërish nën urdhërat e Jose Mourinhos.
Së bashku me partneren e tij italiane Greta Manzato, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka zgjedhur ishullin grek të Mykonos për t’u freskuar në këto ditë të nxehta të fundit të qershorit. Ndonëse emri i tij është lakuar jo pak edhe gjatë kësaj merkato vere, teksa e lidhin me një ribashkim me ish-trajnerin e tij te Torino, duket se vetë Kumbulla nuk e ka mendjen shumë se çfarë do të ndodhë gjatë korrikut apo më pas.
Mbrojtësi kuqezi ka postuar foto në Instagramin e tij, ku shihet i relaksuar nën shoqërinë e të fejuarës së tij, e cila e ka mbështetur shumë, sidomos gjatë transferimit te Roma.