Në gjykatën e Elbasanit po jepen sot konkluzionet përfundimtare të avokatëve për ngjarjen e 21 Prillit 2021 në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Ngjarje e ndodhur në fushatë elektorale dhe e cilësuar si ngjarje me motive politike.
Një javë më parë prokuroria në konkluzionet e saj përfundimtare kërkoi 25 vite burg për Arben Paplekajn duke i qëndruar akuzës në nisje të gjykimit, “vrasje në rrethana cilësuese”.
Ndërsa për punonjësit e policisë së akuzuar për shpërdorim detyre prokuroria kërkoi 1 vit burg.
Në konkluzionet e sotme mbrojtja argumentoi se vrasja e Pjerin Xhuvanit është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes duke faktuar me dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, pamjet filmike dhe ekspertizat ligjore. Sa më sipër mbrojtja kërkoi pafajësi për Arber Paplekajn.
Sipas mbrojtjes prokuroria nuk ka marrë parasysh as eskpertizën mjeko ligjore të kërkuar nga vetë organi i akuzës ku mjekët shprehen se në momentin e ngjarjes Arbër Papleka ka qenë në gjendje të rënduar psikike çka ka sjellë vetëdije të dobësuar dhe e shkaktuar nga rrethanat e një sulmi të papritur i cili ndodhi në pak sekonda dhe ku u desh nje reagim i menjëhershëm i ndodhur nën breshërinë e plumbave për të mbrojtur jetën.
Edhe avokatet mbrojtës të punonjësve të policisë kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Sipas tyre prokuroria nuk ka vërtetuar dhe faktuar shpërdorimin e detyrës. Madje avokatët kanë vënë në dyshim standardet e prokurorisë e cila, sipas tyre, nuk përfshin në gjykim një police të plagosur në vendin e ngjarjes. Ndërsa policët e tjerë që ishin aty së bashku gjykohen.
Në këtë seancë është paraqitur edhe një deklaratë e polices së plagosur në ngjarjen e 21 prillit 2021. Xhensila Sota kërkon që Arbër Paplekaj të mos gjykohet për plagosjen e saj. Kjo deklaratë i është shtuar dosjes si shprehje vullneti e Sotas.