Çmimi i ulët i grurit në treg, ka bërë që edhe këtë vit prodhimi i bollshëm i fermerëve të Topojës në Fier, të mbetet stok në magazina.
Një prej kultivuesve më të mëdhenj të grurit në zonë, Mili Sako tregon për mikrofonin e Fax News se gjatë këtij sezoni arriti të sigurojë 120 tonë grurë, 100 tonë elb dhe 150 tonë tërshërë, por shprehet mjaft i indinjuar se i gjithë prodhimi i ka mbetur stok nëpër magazina. Çmimi i ulët, 25 lekë për kilogramë, është nën kosto thotë fermeri teksa nuk fsheh zhgënjimin se për këtë situatë të përsëritur prej shumë vitesh, askush nuk reagon.
Fermeri: Sot për momentin, mua më është djegur, më keni intervistuar dhe ju, ju falenderoj.
Kam të magazinuar 120 tonë grurë. Nuk i kam shitur, sepse, pas djegies së grurit, më mori në telefon një tregtar ma kërkoi me 25 lekë. Kemi probleme shumë të mëdha me shitjen e grurit, kemi vështirësi. Tokën e kemi, mundësitë i kemi, të tëra janë, nuk e di pse lihet pas dore.
Më morën në telefon, dhjetëra persona pas djegies, por si nuk mori një deputet. Si nuk e ndjeu një njeri, as deputet, as ministre, lëreni kryeministrin se është larg.
Asnjë lloj subvencionimi, asnjë dëmshpërblim, u dogj aksidentalisht. Nuk më pyeti askush si ndodhi.
Edhe na tallen, na thonë që gruri juaj nuk është i mirë. E kam vendosur, nuk iki. U dogj prapë, do punoj. nuk largohem nga Shqipëria. E njëjta problematikë, çdo vit. Është lojë e tregtarëve dhe atyre që u mbështesin. Duhet të ketë një farë stabiliteti.
Iu përgjigjem thirrjes së Ministrisë së Bujqësisë për të shtuar sipërfaqet e mbjella me grurë thotë kultivuesi Sako, por çmimi këtë vit u përgjysmua. Por si Sako janë me dhjetëra fermerë të tjerë të cilët nuk janë dakord me çmimin dhe që në mungesë të ambienteve magazinuese ata e kanë hapur grurin në ambientet e oborreve duke bërë roje ditë e natë, në pritje të rritjes së çmimit të grurit.