Milani ka marrë një humbje shokuese mbrëmjen e djeshme teksa është mposhtur nga Monza me rezultatin 4-2. Kuqezinjtë humbasin kështu një shans të artë për t’u ngjitur në vend të dytë dhe për të qenë më pranë Interit kryesues. Monza, nga ana tjetër, bëri një ndeshje heroike duke shënuar 4 herë në portën e Maignan.
Pessina zhbllokoi takimin në fund të pjesës së parë në minutën e 45′ nga pika e bardhë e penalltisë. Vetëm një minutë më vonë, Dany Mota do të dyfishonte shifrat.
Me fillimin e pjesës së dytë, Pioli bëri disa zëvëndësime të cilat dhanë rezultat, pasi u futën në lojë Leao, Pulisic, Reijnders dhe Giroud. Dhe do të ishte ky i fundit që do të ngushtonte diferencën në 2-1. Mirëpo, fati i keq për Milanin vijoi teksa sulmuesi Luka Joviç doli nga loja me karton të kuq pas një bërryli ndaj kundërshtarit.
Me kalimin e minutave, Milan edhe pse me 10 veta nuk u dorëzua dhe në të 88-ën, Pulisic barazoi gjithçka. Por vetëm për pak, pasi Bondo shuajti shpresat e Milan në minutën e 90′, përpara se në të 95-ën Colombo të realizonte të katërtin për Monzën dhe të vuloste fitoren.
Javën e ardhshme, Milan do të pres Atalantën në San Siro, ndërsa Monza do të luajë në transfertë ndaj Salernitanës.