Me shpalljen e vendeve vakante për anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kanë nisur edhe aplikimet.
Në kuadër të këtij procesi që duhet të jetë sa më transparent, institucioni i Avokatit të Popullit ka krijuar një hapësirë të nevojshme që do të shërbejë për pranimin e aplikimeve dhe ku do të jepen informacionet që lidhen me kandidimet.
Zyra e Avokatit të Popullit bën me dije se të interesuarit mund të aplikojnë në adresën www.avokatipopullit.gov.al, nga e hëna në të premte në orarin 08:30-16:30.
“Avokati i Popullit ka nisur punën për vënien në zbatim të Reformës në Drejtësi në përputhje me kompetencat që parashikon ligji në këtë drejtim. Avokati i Popullit është i vendosur që të realizojë të gjitha detyrat e ngarkuara nga ligji me përgjegjshmëri dhe transparencë të plotë mbi atë pjesë të procesit, për të cilën ngarkohet me kryerjen e procedurave specifike dhe kompetencave konkrete.
Shprehja e interesit të kandidatëve dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit: Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë. Ftojmë të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj, që brenda datës 28 janar 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit”, citohet në njoftimin e Avokatit të Popullit.