Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se kërcënimet e Nikoliçit mund të jenë shumë reale dhe serioze, por sipas Veselit ne nuk duhet të zmbrapsmi, pasi siç tha ai, “jemi shumë më të fortë se në vitet ’90”.
Në një intervistë për RTK, Veseli ka thënë se veprimi i së shtunës i Serbisë, ishte një provokim testues, por ai tha se “nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se çfarë ka pasur dhe çfarë ka ndërmend Serbia me këtë testim”.
“Një tentativë e tillë testuese, që përmes parullave që kujtojnë shpirtat e këqij të viteve 90”, tha Veseli.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e Presidentit të Serbisë Tomislav Nikolç, i cili ka kërcënuar se në Kosovë do të shkojë të luftojë me dy djemtë e tij.
“Mund të jenë edhe shumë reale dhe serioze si kërcënime, por ne nuk duhet të zmbrapsmi, pasi jemi shumë më të fortë se në vitet e 90-ta”, tha kryeparlamentari i Kosovës.
Ai shtoi se edhe muri në Mitrovicë do të shembet, por përgjegjësinë do ta marrë shteti serb dhe ata që i nxisin veprimet e tilla.
Pak ditë më parë, pas ndalimit të trenit nga autoritetet e Kosovës, presidenti serb Tomislav Nikoliç kërcënoi duke u shprehur para mediave se “shqiptarët po kërkojnë luftë, por do e pësojnë keq”. (A.R/SHUPLAKA)