Deputeti i Partisë Demokratike Helidon Bushati ka reaguar në lidhje me ripërsëritjen e akuzave të Kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi ndaj qeverisë, që nuk e financon sa duhet këtë Bashki.
Deputeti demokrat i kujton Bashkisë së Shkodrës se duhet bërë planifikimi i projekteve që vijnë si rezultati i transfertës së kushtëzuar, përpara së të miratohet buxheti nga Parlamenti.
Bushati u bën thirrje përfaqësuesve të bashkisë, që fillimisht të përmirësojnë marrëdhëniet me deputetët pa dallime politike të qarkut Shkodër.
“Problematika sa i përket projekteve që vijnë si transfertë e kushtëzuar bëhet para se të kalojë buxheti i qeverisë dhe jo pas. Edhe ju edhe bashkia ka vend për të përmirësuar marrëdhëniet me deputetët, më vjen keq që këtu nuk ka edhe kolegë të majtë. Sot nuk bëhet pa lobim, prandaj e them edhe bashkia ka vend me përmirësuar marrëdhëniet me deputetët, edhe të majtë. Planifikimi projekteve duhet të bëhet para se të kalojë buxheti në parlament”, është shprehur Bushati.
Por i menjehershëm ka qenë edhe reagimi i Kryebashkiakes Ademi, e cila ka theksuar se përveç mungesës së fondeve, ajo ka shtuar se institucionet që janë në varësi të qeverisë në Shkodër kanë bërë 0 investime.
“Në 48 institucionet në Shkodër në varësi qeveritare ka zero investime. Para janë dhënë vetëm për ndihmën ekonomike dhe jo për investime në rrugë apo shërbime të tjera”, ka deklaruar Ademi.
Bashkia e Shkodrës ka për vitin 2017 një buxhet prej 25 miliard lekësh, ku do të përqendrohen më shumë tek investimet për infrastrukturë.
Ashtu sikurse kreu i PD-së Basha dhe kryebashkiakja Ademi kanë akuzuar gjithmonë qeverinë se po bën një diskriminim mbi fondet e caktuara për Bashkinë më të madhe në veri të vendit. (K.P/Shuplaka)