Kur duhen më pak se 5 muaj nga zgjedhjet e 18 qershorit partitë politike në vend kanë nxehur motorrët. Koalicioni qeverisës është përfshirë sidomos ditët e fundit në një arenë debate me akuza të forta mes palëve. Fakt ky që vë shumë në pikëpyetje nëse PS dhe LSI do të dalin së bashku në fushatë dhe në zgjedhje. Po pavarësisht kësaj asnjëra nga partitë nuk ka humbur kohë për të përcaktuar listat e deputetëve të cilët do të jenë përgjegjës për secilin qark.
Mësohet se vetëm brenda janarit në selinë rozë janë organizuar disa takime ku në krye kanë qenë kryeministri Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Në këto takime, drejtuesit e PS-së kanë kritikuar punën e dobët të shtabeve në rrethe krahasuar me partitë e tjera. LSI-ja dhe tensioni me të në strukturat e bazës nuk ka mbetur jashtë vëmendjes në këto takime, sidomos është diskutuar për disa rrethe ku partia e drejtuar nga Ilir Meta është shfaqur më aktive në organizimin e strukturave të saj për zgjedhjet e ardhshme. Rama u ka kërkuar deputetëve më tepër aktivizim dhe punë, pasi prej tyre do të varet edhe futja e emrit në listat për deputet që do të hartohen. Përveç deputetëve të zonave, në mbledhjet që kanë zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjeve të dy javëve të fundit, kanë marrë pjesë krerët e bashkive, kryetarët degëve të bashkive, kreu i FRESSH-it, përfaqësues të Forumit të Gruas socialiste, sekretarët e partisë, shkruan ”Shekulli”.
Riorganizimi dhe listat
Kreu i PS-së, Edi Rama ka ndryshuar gjeografinë e përgjegjësive që do të kenë secili deputetët për zgjedhjet e qershorit. Nga raportimet e bazës në qendër, më problematike është Shfaqur Qarku i Shkodrës për shkak edhe të largimit nga partia e deputetëve Mimoza Hafizi dhe Tom Doshi. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka filluar organizimin e strukturave ku takimi i fundit ishte ai i ditës së shtunë ku nuk kanë munguar tonet e forta gjatë diskutimeve dhe shkak duket se kanë qenë faturat e OSSHE-së. Bushati njëherësh pritet t’i prijë edhe listës së kandidatëve në këtë qark. Bie në sy fakti që deputeti Ulsi Manja, thuhet se është zhvendosur nga Dibra atje ku fitoi në 2013 dhe është vendosur në strukturat organizative të Tiranës. Ndër të tjera, socialistët kanë filluar punën edhe me hartimin e listave zgjedhore. Strukturat kanë hartuar lista me votues potencial që kanë ardhur nga radhët e partive të tjera dhe zgjedhësit e rinj, pra ata që votojnë për herë të parë. Mësohet se në Durrës, Kavajë dhe Lushnjë ka filluar kontaktimi i të rinjve që do të shprehin vullnetin e tyre për herë të parë.
Drejtuesit e strukturave kanë printuar listat zgjedhore të rifreskuara për çdo degë të partisë në Tiranë dhe rrethe. Kryetarët e degëve kanë marrë urdhër që të fillojnë të identifikojnë dhe kontaktojnë çdo votues potencial, madje edhe duke i shkuar në shtëpi. Gjithashtu, Rama u ka kërkuar kryetarëve të degëve dhe koordinatorëve elektoral që të bëjnë pjesë të strukturave njerëz që gëzojnë respekt në komunitet duke filluar nga mësuesit, mjekë, biznesmenë dhe profesione të tjera. Gjithashtu është kërkuar që në çdo qendër votimi të ketë vajza dhe gra për të respektuar kuotën gjinore. Për herë të parë në organizimin elektoral, PS-ja ka zgjedhur edhe atë që quhet sekretari dixhital i cili si funksion do të ketë krijimin dhe menaxhimin e grupeve të komunikimit në rrjetet e ndryshme sociale me qëllimin organizimin më të mirë të punëve. Bëhet fjalë për grupe të mëdha komunikimi që janë krijuar në rrjetet sociale “Viber” dhe “ËhatsApp”, ku janë përfshirë të gjithë kryetarët e degëve, kryesia e madhe, sekretariati dhe organizatorët e strukturave. Pjesë e këtyre grupeve mësohet se është edhe Edi Rama, i cili do të komunikojë gjatë muajve në vazhdim për organizimin e zgjedhjeve.
LSI freskon listat për deputet
Lëvizja Socialiste për Integrim ka filluar më herët se partitë e tjera zgjedhjen e strukturave për votimet e qershorit, madje që nga zgjedhjet kur Meta u rikonfirmua në pozicionin e kryetarit. Më aktive janë dukur strukturat e partisë në kryeqytet ku prej javësh drejtuesit më të lartë të partive kanë zhvilluar disa takime me degët e njësive dhe me bordet drejtuese. Takimi i fundit është regjistruar ditën e shtunë në njësinë numër 9 në Tiranë, ku i pranishëm ka qenë Petrit Vasili. Sakaq kureshtja që ka zgjuar fati i koalicionit në këto ditë “akulli”, bëri që nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili t’i drejtohej aleatëve socialistë duke thënë se partia e tij e mban fjalën. “Një parti e cila nuk ka të shkuar, nuk mund të ketë të ardhme. LSI-ja ka historinë e saj dhe historinë e bëjnë njerëzit. Dhe kur njerëzit janë aty, historia është e gjallë dhe është një histori që zhvillohet. Nuk është mosmbajtja e fjalës dimensioni ynë dhe kjo na dallon. Ua them këtë gjë sepse populli ka një shprehje të thjeshtë ‘i miri dallon’”, tha Petrit Vasili.
Ndërkohë deputetja e Silva Caka, ka qenë dje pjesë e takimit me anëtarët e Komitetit Drejtues të LSI së qytetit të Kuçovë ku është diskutuar për organizimin e strukturave për zgjedhjet. Tashmë LSI ka filluar të hartojë listat e para për identifikimin e votuesve potencial dhe të pavendosur kryesisht në Tiranë, Durrës dhe në qarkun e Fierit. Burime të “Shekulli”-t mësojnë kreu i partisë Ilir Meta u ka kërkuar krerëve të degëve në rrethe të kontaktojnë anëtarësinë dhe të fillojnë takimet në terren. Sipas projeksioneve të deritanishme, në qarkun e Fierit LSI-ja po mendon të fus në listat e kandidatëve për deputet emra të rinj dhe që banojnë dhe kanë lidhje me zonën. Mësohet se deri tani janë identifikuar një sërë emrash potencial për të qenë në listat e kësaj partive, gjithnjë sipas meritës kontributit në parti. Madje më Qarkun e Durrësit dhe Fierit, LSI-ja duket më e motivuar dhe kjo është për shkak të ngrirjes së marrëdhënies që ka me strukturat e PS-së. Në këto qarqe partia e drejtuar nga Meta ka nisur të bëjë llogaritë se si të rrisë numrin e mandateve më 18 qershor, pasi historikisht aty ka pasur edhe mbështetjen më të madhe.
Luan Rama: Maxhoranca, arrogante Vetëm një ditë pasi Koka adresoi një sërë kritikash ndaj PS-së, një tjetër figurë e rëndësishme e LSI-së numëroi një sërë kritikash ndaj aleates në qeveri. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka komentuar në televizionin “ABC Neës” zhvillimet më të fundit në qeveri dhe koalicion, duke thënë se maxhoranca socialiste është arrogante, duke iu referuar PSsë. Ai solli shembullin e oficerit të policisë Entjol Xhelili që këndoi himnin në Kuvend ku po dëshmonte për pajisjen e përgjimit Imsi Catcher që dyshohet se e ka futur në burgjet shqiptare. “Është shenjë e arrogancës së pushtetit të titullarëve të tij. Ai shpërdoron ligjin për simbolet kombë- tare. Kjo lloj arrogance duhet të marrë fund dhe nuk i shkon një maxhorance të majtë. Ka një arrogancë të pushtetit ndaj qytetarëve. Ka sjellje arrogante të njerëzve të veshur me pushtet”, tha Luan Rama duke sulmuar indirekt ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është titullar i oficerit Xhelili.
PS-ja duhet të ndahet nga LSI-ja
Deputeti i PS-së, Vladimir Kosta ka shpërthyer ndaj LSI-së dhe akuzave të kësaj të fundit drejtuar kryesisht Policisë së Shtetit. Ai i bën thirrje që PS-ja të ndahet nga LSI-ja dhe të dalë e vetme në zgjedhje, ndërsa akuzon aleaten për shantazh dhe pazare. “Personalisht mendoj se vazhdimi i koalicionit me LSI-në është i pamundur dhe duhet të ndahemi menjëherë. Nuk na bashkon asgjë me ta. PS-ja është forcë kryesore në vend dhe fiton e vetme. Për kolegët e mi që kanë merak numrat, u them se PS-ja mund të jetë në koalicion me çdo parti tjetër që nuk ka stil pune pazaret dhe shantazhet. E them këtë sepse dhe nga pikëpamja e raporteve njerëzore kjo aleancë me LSI ka marrë fund”, shprehet Kosta në faqen e tij në “Facebook”.
Tensioni në bazë
Problemet që koalicioni qeverisës ka shfaqur në qendër të vëna në pah nga deklaratat e ministrave të LSI-së dhe deputetëve të PS-së, mësohet se janë reflektuar edhe në bazë. Sfidë e PS-së dhe LSI-së mbetet vota e adminis tratës, pasi në qarqet e mësipërme mësohet se dy partitë kanë ftohur totalisht marrëdhëniet mes tyre, aq sa edhe shërbimet në administratë nuk
ofrohen nëse identifikohesh si i PS-së ose i LSI-së. Një problem të tillë e denoncoi dy ditë më parë në një intervistë televizive edhe ministri Lefter Koka, i cili tha se PS-ja nuk ka respektuar aspak marrëveshjen me PS-në në qarqet e mësipërme. Burime nga strukturat e LSI-së thanë për “Shekullin” se bren da muajit të ardhshëm vetë Meta do të zhvillojë takime në Qarkun e Fierit për të analizuar më nga afër situatën, para se të vendosë nëse do të futet në zgjedhje në koalicion me PS-në apo vetëm. Të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe në qarqe të tjera. (E.K/SHUPLAKA)