Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, bëri disa deklarata shumë të forta mbrëmjen e sotme nga studioja e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.
Llalla tregoi, se një histori e ngjashme me “ndërhyrjen” e ambasadorit aktual të SHBA-së në Shqipëri në dosjet e Prokurorisë, Donald Lu, ka ndodhur edhe shumë vite më përpara kur Edi Rama ishte Kryetar Bashkie në Tiranë, nga një tjetër ambasador amerikan. Çështja në fjalë kishte të bënte me nisjen e hetimeve për kontrollin e pasurisë, ndaj kryeministrit aktual, dhe kryetarit të bashkisë së asaj kohe.
“Në momentin kur u përzgjodh të hetohej edhe kryetari i bashkisë Edi Rama, pati një reagim të menjëhershëm ambasadori i asaj kohe i SHBA-së Withers, që sipas tij procesi ishte i manipuluar. Pra sipas tij përzgjedhja ishte bërë e qëllishme. Hetimi u kry i plotë në rastin konkret, pasuria e Edi Ramës, ishte e krijuar në mënyrë të ligjshme. Lidhur me këtë rast, unë iu drejtova ministrit të Jashtëm të asaj kohe, z.Meta. Me të cilin patëm një bashkëpunim tepër të frytshëm, i vura në dispozicion të gjitha të dhënat dhe materialet që ambasadori amerikan përdori dhe kritikonte në mënyrë të paligjshme institucionin e ILDKP-së.”, tha Llalla. (D.D/Shuplaka)