Pas disa javësh, protestat për punimet e projektit ‘’Veliera’’ në Durrës kanë dhënë rezultat. Projekti i bashkisë Durrës, me një vlerë prej rreth 6 milionë dollarë për një shesh të ri prej betoni në hyrjen e portit detar, ka hasur në kundërshtinë e qytetarëve, arkitektëve dhe të shoqërisë civile.
Gjykata Administrative ka vendosur që të pezullohen punimet në zonën ku u gjetën edhe rrënoja arkeologjike. Rrënoja të cilat flasin jo pak për historinë shekullore të qytetit bregdetar.
Padia u dorëzua në Gjykatën Administrative nga ana e shoqërisë civile të cilët përfaqësoheshin nga avokatja Mirela Çela Jorgo.
Kjo avokate bëri të mundur që përmes dëshmive dhe fakteve të sjella të bindte Gjykatën në marrjen e vendimit final të pezullimit të punimeve.
Po çfarë kishte ndodhur më herët:
Disa herë pranë kantierit të këtij projekti janë organizuar protesta nga shoqëria civile, ndërsa një ditë më parë kryebashkiaku Vangjush Dako u detyrua të organizonte një dëgjesë publike për të sqaruar pozicionin e bashkisë përballë këtyre akuzave. Presioni i madh për këtë çështje e zbrapsi Dakon dhe detyroi të premtonte mbështetje për përfundimin e rezultateve që do të paraqesnin arkeologët, si dhe u zotua për ndryshime në projekt.
Por abuzimet e kryebashkiakut të Durrësit me këtë projekt me vlerë të madhe, nuk ndalen me kaq. Dako lidhi kontratë me Institutin e Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik, plot dy muaj pasi kishin nisur punimet në kantier dhe shumica e gërmimeve nëntokësore për projektin kishin përfunduar. Një kontratë e tillë për monitorim nga arkeologët duhej të ishte lidhur para nisjes së punimeve.
Nga ana tjetër Bashkia Durrës filloi punimet pa u pajisur me leje mjedisore. Madje për këtë është gjobitur me 1 milion lekë nga Inspektoriati i Mjedisit. Leje mjedisore nuk kishte as firma “Everest Shpk”. Përveç dëmtimeve të vlerave arkeologjike, shqetësim tjetër ishte derdhja e kamionëve me inerte në bregdetin e Durrësit. (E.K/SHUPLAKA)