Për të disatën herë, edhe gjatë ditës së sotme rruga Nacionale Milot-Burrel ka pësuar rrëshqitje gurësh. Kjo ndodh sa herë që ka reshje shiu në këtë zonë dhe shpesh bëhet edhe burim aksidentesh.
Sipas burimeve për “Shuplaka-n”, edhe mëngjesin e sotëm drejtuesit e automjeteve janë detyruar që të shmangin gurët e rënë në rrugë dhe t’i largojnë ato, pasi përndryshe mund të përfundojnë në liqenin e Shkopetit.
Sipas banorëve, gurët bien herë pas here në rrugë dhe automjetet kanë pësuar dëmtime në goma apo dëmtime të ndryshme në pjesë të tjera të makinave.
Për vendasin ky problem është i ditur tanimë dhe ata tregohen të kujdesshëm, por e njëjta gjë s’mund të thuhet për ata që vijnë nga qytete të tjera, të cilët nuk e njohin terrenin dhe janë më të prirur për aksidente. (D.D/Shuplaka)