Pavarësisht lajmit për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, opozita nuk do të ndalet me protestat.
Përkundrazi, opozitarët po pregatiten për protesta të gjata, pasi ndërkohë që deri tani mbanin ngrohëse me gaz në çadër, i kanë zëvendësuar ato me kondicionerë, si parapërgatitje për ndryshimet klimaterike gjatë muajit mars, që njëherë ka ditë jashtëzakonisht të nxehta, e njëherë jashtëzakonisht të ftohta.
Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili gjatë fjalimit të sotëm në çadër komentoi lajmin për shkarkimin e ministrit, paralajmëroi se protesta nuk do të ndalet derisa të arrihet qeveria teknike.
“Çfarëdo thashethemesh e prapaskenash të kurdisin, mesazhi ynë është një dhe i pandryshuar. Qëndresa jonë është vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike, lajmi se ka shkarkuar Tahirin është në radhë të parë një truk për t’i hedhur hi syve shqiptarëve, për t’i hedhur hi syve opinionit ndërkombëtar, për t’i hedhur hi syve protestuesve që janë këtu ditë e natë për 22 ditë me radhë.
Një përpjekje mjerane për t’i shpëtuar drejtësisë, për shkallën e mosbesimit që ka përfshirë çdo shqiptar se ai nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për bindjen se qenia e vet e Edi Ramës përbën kërcënimin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për vetë lidhjen me kriminelët që i liroi nga burgjet pikërisht për pushtetin e tij. Kjo protestë nuk bëhet për pushtetin e opozitës, apo të Lulzim Bashës, do të mbarojë vetëm kur t’i garantojë çdo qytari votën e lirë.
Duke refuzuar truket dhe fasadat për t’i shpëtuar përgjegjësisë nuk mund të mos ju uroj secilit prej jush, ju uroj sepse sido që ta sjellin e përcjellin lajmin, fakti është se më shumë se tre vite opozita e ka kërkuar dorëheqjen e Tahirit por Rama nuk është përgjigjur, prej më shumë se dy vitesh bashkëpunëtori i tij në koalicion ia ka kërkuar por ai i hoqi ministrin e drejtësisë, partnerët tanë strategjik ia kanë kërkuar dhe ky është tallur, eh pra nëse lajmi është i vërtetë kjo fitore është vetëm e juaja. Forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore. Sot nuk është koha as për eufori dhe për festë, por për qëndresë se beteja që kemi përpara mund të fitohet vetëm përmes kurajos dhe sakrificës.”, tha sot Basha. (D.D/Shuplaka)