“Prej 48 orësh ambjenti politik i Tiranës mundohet të zbulojë përsenë e kësaj lëvizjeje të fortë të kryeministrit për të ribërë shtyllën kurrizore të qeverisë, ndërkohë që i ka rezistuar këtij tundimi shumë herë gjatë katër viteve të fundit, kur ka qenë vërtetë rasti për të ndërhyrë në kabinet”, shkruan Skënder Minxhozi, i cili thotë se pikëpyetjet rreth këtij akti shtohen, kur sheh se në prag të zgjedhjeve, Edi Rama ka sakrifikuar ministrin më të rëndësishëm të kabinetit, ministrin e Brendshëm.
“Në një lexim didaktik të logjikës që shoqëron fushatat elektorale, mund të vërehet pa vështirësi fakti se maxhorancat tregohen konservative në prag zgjedhjesh. Kabinetet tkurren, lëvizjet bëhen me shumë kujdes dhe balancat shihen me kandarin e farmacistit. Rama, në të kundërt, ka vendosur të hyjë me “rruspa” brenda kabinetit të tij, duke larguar katër anëtarë qeverie. Çka ka ngritur jo pa drejtë dyshime mbi llojin e fushatës që dëshiron të bëjë Edi Rama, të cilën një koleg e quajti “fushatë elektorale më të papunë”, vijon Minxhozi.
“Prezenca e një dore të huaj në lëvizjet aktuale të qeverisë, do të ishte i vetmi element që do të justifikonte jo vetëm qëndrimin e Ramës ndaj ministrave, por edhe të gjithë zinxhirin e ngjarjeve eventuale që do të pasonin. Por kjo është një alternativë që duhet verifikuar dhe vërtetuar në praktikë. Deri tani, ajo që shohim nga vitrina e të majtës shqiptare, është një krizë e papritur qeverie dhe një akt dobësie, kur pritej që vetë qeveria të ishte duke veshur çizmet e fushatës që qershorit”, thekson Minxhozi.
Ai komenton edhe deklaratat e bëra sot nga dy ministra të LSI që kanë hedhur në shtyp idenë se e duan Ilir Metën kryeministër.
“Duke qenë se në LSI asgjë nuk ndodh “pa dashje”, ky është një sinjal i qartë i ndjesisë që ka krijuar brenda kësaj force politike ribërja e segmentit socialist të qeverisë në këtë moment”, shprehet Minxhozi.
(M.D/ Shuplaka)