Personat me Aftësi të Kufizuar kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë për të kërkuar më shumë të drejta.
Kreu i kësaj shoqate Sinan Tafaj është shprehur se ka tentativa për t’i manipuluar ata në mënyrë që të mos dalin në protesta kundër qeverisë.
‘’Të dashur motra dhe vllezër, dhe bashkëvuajtës në këto 26 vite ka qenë e vështirë për ne që të qëndrojmë të paanshëm. Ka qenë mjaft e vështirë që të zhvillohet kjo protestë, pasi prej tre vitesh kemi pritur që të na mbështesin.
Kur ne deshëm të bënim një protestë ajo u konsiderua kërcënim për qeverinë. Motra dhe vllezër duhet të jemi të hapur dhe të ndershëm me njëri-tjetrin, ata që flasin në emrin tonë ju jep qeveria poste dhe para.
Sot ne nuk kemi një numër të mjaftueshëm të personave me aftësi të kufizuar që punon në administratë. Ne si organizatë kemi qenë, jemi dhe do të jemi të bashkuar, kjo organizatë është një instrument shumë i rëndësishëm dhe për brezat e ardhshëm. Dritën na e mori fatkeqësia, zërin qeveria’’, deklaroi Tafaj. (E.K/SHUPLAKA)