Ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesorë të shtimit të rasteve me kancer gjatë viteve të fundit. Një studim i realizuar nga shkencëtarë amerikanë, arrin në përfundimin se ndotja e ajrit ka kontribuar në shtimin e rasteve me kancer me gati 10%. Hulumtuesit shkencorë amerikanë mendojnë se kjo dukuri shkakton 44 raste të reja për 100 mijë banorë.
Studimi i publikuar tek revista “Kancer”, është i pari që është fokusuar tek lidhja mes mjedisit dhe kancerit, edhe pse studime të mëparshme kanë treguar se gazrat nga makinat shkaktojnë lindje të parakohshme të bebeve.
Autorët e këtij studimi thonë se për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, 50% luan gjenetika, megjithatë, edhe mjedisi mund të dëmtojë ADN-në e njeriut, ndryshon mënyrës se si funksionojnë gjenet dhe mund të alternojë edhe hormone të rëndësishme.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e gati 2700 rretheve në të gjithë Amerikën, ku mesatarisht 451 njerëz në çdo 100 mijë banorë janë prekur nga kanceri mes viteve 2006-2010.
44 raste më shumë janë hasur në vendet më të ndotura, krahasuar me ato më të pastra, duke shënuar kështu një rritje me rreth 10%.
Ndotja nga makinat njihet si një ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive, ashtu si edhe astmë dhe sëmundje të zemrës. Megjithatë, 10 raste të reja të kancerit të prostatës për 100 mijë meshkuj i atribuohen gjithashtu ajrit të ndotur, dhe 4 raste të reja të kancerit të gjirit për çdo 100 mijë femra.
Arsyeja nuk dihet akoma, megjithatë në studim theksohet:
Ekspozimi mjedisor mund të alternojë ose intereferojë me një sërë procesesh biologjike, përfshirë prodhimin dhe funksionin e hormoneve, inflamacionin, dëmtimin e ADN-ës dhe shtypjen e gjeneve.
Studime të mëparshme kanë treguar se grimca të vogla të ndotjes së ajrit mund të imitojnë estrogjenin, hormon i cili rrit dendësinë e gjirit, duke rritur kështu rrezikun për kancer. (D.D/Shuplaka)