Pavarësisht zhvillimeve politike që kanë përfshirë vendin, duke bërë që një sërë çështjesh të tjera të mbeten disi në hije, nisma për ndalimin e filmave të komunizimit, është ende një temë që prodhon debat, për të cilën është pyetur së fundmi akademiku Rexhep Qosja.
Në një intervistë të dhënë për gazetarin Xhevdet Shehu në gazetën “Dita”, akademiku trajton debatin e kohëve të fundit pas propozimit që ai e cilëson tërësisht një censurë, e këtë të fundit një institucion famëkeq.
Duke iu kundërvënë një krijuesi të njohur siç shprehet Qosja, filmat në kohën e komunizimit kishin edhe humanizëm, edhe histori dashurie. Sipas tij, censurimi i filmave të atyre viteve nuk duhet të ndodhë për shkak se cenon rëndë një pjesë të veprimtarisë të një varg krijuesish të tjerë letrarë, artistikë dhe shkencorë.
“Të gjitha ato që thanë për filmat e kohës së komunizmit ata që e dhanë nismën për ndalimin e censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që thanë për filmat ata që e përkrahën nismën për ndalimin dhe censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që tha ai dy fjali të të cilit u cituan më lart mund të thuhen edhe për një varg vjershash, poemash, tregimesh, romanesh, dramash, sprovash, letrare dhe trajtesash, studimesh, monografish shkencore të shkruara shqip në atë kohë.”, shprehet ai ndër të tjera.
Pjesë nga intervista e akademikut Rexhep Qosja
Pavarësisht prej kohës kur bëhet, pavarësisht në çfarë kontekstesh politike, ideologjike, shoqërore, kulturore, fetare, shtetërore bëhet, pavarësisht prej nivelit a statusit shoqëror të atyre që e bëjnë, censura është institucion famëkeq, prandaj edhe komprometues për ata që e bëjnë, për politikën, ideologjinë, kulturën, shtetin që e bëjnë! Sipas bindjes sime, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u është dashur aspak, bash aspak, nisma për ndalimin e një numri të filmave, kurse të shfaqjes me shpjegime të veçanta i një numri tjetër të filmave të krijuar në kohën e komunizmit.
Nisma për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave është një nismë, që mbështetet në zhvlerësime kryekëput politike e ideologjike të filmave të asaj kohe. Për ta thuhet se janë “zgjatime të natyrshme të ideologjisë komuniste”, që përbëjnë “një provokim të rëndë për një pjesë të popullit tonë dhe, në përgjithësi, për higjienën mendore e shpirtërore të çdo qytetari normal”! Normal!!!
Kjo nismë për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave, siç e ka vërejtur Moikom Zeqo, megjithatë, godet dhe letërsinë, krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore në gjuhën shqipe në përgjithësi në Shqipëri dhe në Kosovë. Filmi është art, art i popullarizuar, por arte janë edhe letërsia, edhe muzika, edhe piktura po aq të popullarizuara. Ajo që nismëtarët e censurës së filmave e thonë për filmat, prandaj, mund të thuhet edhe për artet e tjera, sidomos, për letërsinë dhe muzikën, rrjedhimisht do të mund të dilte, prandaj, edhe kërkesa për ndalimin e tyre, sikundër për filmat.
Ajo që ata nismëtarë e thanë për filmat, që s’e kanë thënë, por do të mund ta thoshin edhe për letërsinë e muzikën, mund të thuhet edhe për shumë vepra nga fusha e shkencave shoqërore të krijuara në kohën e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë.
Përkrahje të veçantë nismës për ndalimin e disa filmave dhe censurimin e veçantë të disa të tjerëve, i dhanë edhe disa krijues të njohur, e mes tyre edhe të tillë, veprat e të cilëve janë skenarizuar dhe filmuar asokohe. Njëri ndër ta, përpos të tjerash, tha:
“Në filmat tonë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi (…)!”
Ç’është e vërteta në ata filma kishte edhe humanizëm edhe histori dashurie.
“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, tha më tej ai, që spektatori shqiptar t’i shohë ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit…!”
Të gjitha ato që thanë për filmat e kohës së komunizmit ata që e dhanë nismën për ndalimin e censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që thanë për filmat ata që e përkrahën nismën për ndalimin dhe censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që tha ai dy fjali të të cilit u cituan më lart mund të thuhen edhe për një varg vjershash, poemash, tregimesh, romanesh, dramash, sprovash, letrare dhe trajtesash, studimesh, monografish shkencore të shkruara shqip në atë kohë.
Ç’është romani Dimri i madh? Padyshim “zgjatim i natyrshëm i komunizmit”, në të vërtetë “zgjatim i natyrshëm i stalinizmit”! Ç’është romani Dasma? Padyshim zgjatim i natyrshëm i maoizmit, domethënë i politikës dhe ideologjisë së revolucionit kulturor kinez!
Ç’janë edhe disa romane të tjera, disa tregime, disa vjersha e poema dhe disa sprova e artikuj publicistikë të këtij autori e të disa autorëve të tjerë? Zgjatime të politikës dhe të ideologjisë staliniste, zgjatime me të cilat glorifikohet lufta e klasave, roli i proletariatit në botë, socializmi stalinist dhe mohohen rendet politiko-shoqërore, ekonomike dhe kulturore borgjeze, domethënë perëndimore, duke përfshirë këtu edhe letërsinë moderne dhe në përgjithësi artet moderne!
Ndalimi dhe censura e filmave të krijuar në kohën e komunizmit, që predikojnë autorët e nismës, objektivisht cenon rëndë kështu edhe një pjesë të krijimtarisë të një vargu krijuesish të tjerë letrarë, artistikë e shkencorë.
E kjo do të thotë ndryshim i historisë, shfytyrim i saj dhe i së vërtetës. A mund të fshihen historia dhe e vërteta? Unë them: jo dhe jo.
(XH.A/SHUPLAKA)