Nga Endri Xhafo*
E rëndësishme është ta pëlqejnë kalamajtë!
Përpara pak ditësh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku postoi në Instagram një video që tregonte disa fëmijë që luanin gëzueshëm në shatërvanet e sheshit “Skënderbej”, me diçiturën “all the approval I need” (I gjithë miratimi që më nevojitet).
Më kapi gazi dhe instiktivisht mendova: “Opinioni publik në fazën infantile, apo o burra çlironi Piter Panin brenda vetes”? Por këto ditë po mendoj ca më seriozisht për këtë episod dhe më vjen në mend se kjo në fakt është krejt baza e komunikimit publik të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zgjedhur t’i shkojë gjërave me këmbëngulje deri në fund, duke shpresuar që rezultati t’u mbyllë gojën kritikëve!
Ndaj përsërit papushim se “kritikave ne u përgjigjemi me punë”. Kështu veproi me sheshin Skënderbej, kështu veproi edhe me këndin e lojërave te Liqeni, kantieri që shkaktoi jo vetëm debat publik, por edhe një aksion të fortë kundërshtues në terren. Kritikat e tjera pastaj kanë mbetur në kuadrin e opozitës së fejsbukut, sepse edhe hapësirat për ta kritikuar kryebashkiakun në mediat tradicionale janë ngushtuar gjithnjë e më shumë.
Për çështjen e Liqenit për shembull unë e them pa ndroje që time bijë, e madhja, fluturon kur gjyshja e çon te lodrat atje, ndonëse atraksioni kryesor, treni i Bashkisë, ka dy vjet në stacion. Dhe jam i bindur që vajzat e mia do të luajnë me qejf edhe te sheshi “Skënderbej” në qendër, nën hije e pemëve apo përgjatë vijave të ujit. Por, a mjafton kaq për të thënë “bravo lali”?
E dini si e kam njohur Erion Veliajn? Ishte 4 vjetori i Mjaftit dhe për këtë, në televizionin ku punoja asokohe, propozova të bëja një kronikë. Përgjigja që mora aty për aty ishte: “E ça pastaj”? Por unë mendoja se çunat dhe gocat e Mjaftit me aksionet e tyre kishin sjellë një pikë tjetër referimi në një vend ku njerëzit kishin jetuar gjithmonë të privuar, të tulatur dhe pa një opinion publik të shëndoshë.
Ndaj kur qeveria sillte një orë më shumë ujë e drita në ditë dhe njerëzit kënaqeshin me kaq pak se mendonin se ka edhe më keq, çunat dhe gocat e Mjaftit u thonin qytetarëve se është detyra e qeverisë t’u sigurojë ujë e drita 24 orë pa ndërprerje.
Dhe sikur vetëm për këtë, ata e meritonin të flitej për ta. Kështu unë fitova kronikën time dhe prej kësaj njoha Erion Veliajn.
Nuk e harroj vite më vonë fytyrën e kryebashkiakut në një emision në Top Show kur përkulej përpara mbi karrige dhe i thoshte Alban Dudushit me dorë nga fotoja e maketit të këndit të lojërave: “Po shikoje mo shikoje, po ku ka beton aty mo”?
Më ka qëlluar të pyes drejtues të bashkisë për projektin teknik që parashikonte një volum të rëndësishëm betoni dhe përgjigja që kam marrë, ka qenë: “Po mirë, po ku do të mbështeten lodrat”? Duke pasur parasysh se shoqëria civile solli asokohe plot shembuj kënde lojërash me materiale të bio-degradueshme dhe natyrale si dru e ashkla, dhe, nga ana tjetër, vlerën mbi 77 milionë lekë të reja të projektit me beton të këndit tonë të lojërave që betonin e maskon nën një tapet sintetik, natyrshëm më ka lindur bindja e arsyeshme se ato para ishte vendosur të shpenzoheshin! Dikush do t’i merrte. Çdo diskutim tjetër ishte kot, thjesht si të rrihje ujin në hava! 77 milionë lekë, gati 570 mijë euro, për një kënd lojërash!
Idem për sheshin “Skënderbej”.
E kam pyetur në programin tim Erion Veliajn për krejt pikëpyetjet e shndërrimit të sheshit vetëm në pedonal, ndërkohë që me hapësirat e bollshme mund të harmonizonte fare mirë hapësirat për këmbësorë me ato për automjete, duke i argumentuar se specifika e Tiranës si qytet monocentrik e bën sheshin “Skënderbej” një nyje ku vjen e përplaset trafiku i krejt arterieve që lidhin Lindjen me Perëndimin, që janë rruga e Kavajës, e Durrësit dhe “Mine Peza” me rrugën e Dibrës dhe “Hoxha Tahsim” (zgjatim i “Luigj Gurakuqit” e “Ludovik Shllakut”), si edhe Jugun me Veriun, që janë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” me “Zog I”; i thashë se unaza e vogël tingëllonte si një mashtrim i madh, duke pasur parasysh se të gjitha segmentet e saj ekzistonin edhe përpara mbylljes së sheshit dhe i vetmi segment që u hap i ri, ai pas shtëpisë së Kadaresë, e kalonte më parë trafikun përpara shtëpisë së Kadaresë dhe hotel Tiranës; i thashë se nuk ishte e vërtetë ajo që thoshte ai se nuk ka qytet europian që të ketë për simbol një shesh me makina, sepse për nga specifika sheshi “Skënderbej” ngjante shumë me place de la Concorde në Paris apo Trafalgar Square në Londër, ndërkohë që të gjitha sheshet kryesore të këtij qyteti policentrik që është Parisi janë sheshe të hapur për qarkullimin e automjeteve; i thashë se shembuj të tillë gjeje plot në Paris, Londër, Romë, Madrid, Berlin, etj., i thashë plot gjëra, derisa ma preu shkurt: “E për ça po e vazhdojmë akoma këtë muhabet? Unë thashë në fushatë që do ta bëj sheshin dhe qytetarët më votuan për këtë”.
E vërtetë. E tha! Ajo që nuk tha është se sheshi do të rrethohet me kulla. Lexoja Blendi Salajn këto ditë që riprodhonte një bisedë me një prej arkitektëve të studios 51N4E që, me atë naivitetin se po bën punë të lavdërueshme, thoshte se do të ndërtohen edhe 2 kulla që plotësojnë kuadratin me 2 kullat ekzistuese, një kullë pas sahatit, plus kulla si “shtesë kapacitetesh” e hotel Tiranës, që do ta bëjë hotelin aktual të ngjajë si liliput, leja për të cilën është dhënë ndërkaq nga KKT, pa folur për kullat e tjera, lart e poshtë nëpër Tiranë.
Dhe kur ti lexon këtë, kupton se çdo diskutim është i kotë! Ti kupton se premtimet e Bashkisë për t’ia kthyer qytetin këmbësorëve, kundër-argumenti se kjo ka kuptim kudo në Europë por jo në Tiranë ku transporti publik është copë-copë, diskutimet e Bashkisë për cilësinë e ajrit dhe kundër-argumenti se mbyllja totale e sheshit për automjetet vetëm sa e rëndon cilësinë e ajrit për shkak të djegies së karburantit të dhjetëra makinave të bllokuara në trafikun përreth, e gjithë energjia e harxhuar për të protestuar mbi estetikën e dyshimtë të sheshit, të gjitha janë kot!
Eshtë vendosur që sheshit t’i ndryshohet destinacioni, dhe pikë! Megjithëse tek e fundit për Bashkinë kjo zhurmë nuk është edhe aq kot, sepse i intereson të flitet për gjithçka në lidhje me estetikën, shatërvanet, pemët, hijet, vapën, pllakat dhe të lihet në heshtje fakti që sheshi “Skënderbej” nga “square” është shndërruar në “esplanade”, dy fjalë këto që shqipja i përkthen njësoj “shesh”, por që në rastin e dytë më e saktë do të ishte “oborr i brendshëm”.
Po, po, oborr i brendshëm i kullave të larta të qendrës së Tiranës, të cilave Bashkia u ndërton me para publike edhe një parking nëntokësor, e gjitha kjo me kujdesin që t’u pëlqejë fëmijëve, për t’u mbyllur gojën prindërve! Ndaj Mazniku me të vetën kishte të drejtë kur shkruante se nuk i duhej miratim tjetër veç pëlqimit të kalamajve.
Që në ditët e para hapjes sheshi është pushtuar nga qytetarë të ndryshëm që shtyjnë mbrëmjet verore në shkallët e Muzeut Kombëtar apo në karriget e vëna enkas në shesh. Sheshi po ringjall xhiron e dikurshme ku njerëzit shikonin dhe shiheshin.
Në Tiranën pa variacion, ku për të shtyrë kohën duhet patjetër të ulesh në një kafe, pensionistët dhe familjarët do ta bëjnë këtë pa lekë. Sheshi “Skënderbej” do të jetë kopshti i tyre i Luksemburgut, Fontana e tyre e Trevit, brigjet e Senës dhe të Tamizit, Villa Borghese, Belevedere Schlossgarten apo Hyde Park. Njerëzit do t’ia ndjejnë lezetin sheshit dhe do të harrojnë planin e kobshëm të kullave, që, të ndërtuara në hapësirën e kufizuar përreth, me rrugë të ngushta e me popullsi të dendur, do t’ia marrin shpirtin qytetit.
Më tha një njohje e përbashkët gjatë një bisede private me detaje që s’ka pse bëhen të gjitha publike, që të mos isha kaq kritik me Erion Veliajn, sepse do të bëhesha pishman shpejt nga punët e mira që po bën. Ia ktheva pa u menduar dy herë: “Kryebashkiaku më i mirë krahasuar me Sali Kelmendin, Albert Brojkën, Ed Ramën dhe Lul Bashën? Po mo, ta them që tani që është më i mirë se këta”. Çështja është se Mjafti, siç shpjegoj më sipër, më mësoi të kem të tjera pika reference!