Kandidatit të LSI-së në Shkodër Agron Çelës, përmes një adrese në Facebook me emrin e tij, pasditen e sotme i publikuan një deklaratë sikur ai kishte dhënë dorëheqjen.
Pasi e sqaroi të vërtetën përmes një statusi në llogarinë e vërtetë që ai administron, që është LSI shkodër, Çela doli edhe në një konferencë për mediat.
“Marr shkas nga një faqe Facebook-u që ishte në adresën time, Agron Çela, që ishte një adresë fallso, por megjithatë mendoj se do ishte një ditë që të bënim heshtje zgjedhore, dashje pa dashje ata po na bëjnë të jemi të pranishëm edhe sot në çdo familje shqiptare.
Por unë jam këtu për të hedhur poshtë ato, me neveri të jashtëzakonshme, sepse unë në asnjë moment nuk e kam menduar tërheqjen nga gara, jo vetëm nga kjo por nga asnjë garë tjetër. Unë jam Agron Çela, jam i pari në listë dhe u them atyre njerëzve që shkruajnë se ju garantoj se ne po punojmë për deputetin e katër dhe kjo është arsyeja se përse ata po bëjnë gjithë këto poshtërsira dhe makinacione. LSI është moral, nder, krenari, burrëri. LSI forcë e parë, e paimagjinueshme, i ka hyrë çdo shqiptar në gjak. Unë jam në garë, e vazhdoj garën si triumfues dhe fitimtar.
Ata që e kanë bërë i dridhen këmbët, shpirti, çdo gjë. Unë nuk kam adresë Agron Çela, por vetëm LSI Shkodër.”, tha Çela. (D.D/Shuplaka)