Djali i madh i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, është përfolur për një kohë të gjatë lidhur me marrëdhëniet e tij me rusët.
Mirëpo, gjatë ditës së sotme, Don Trump JR ka publikuar disa e-maile, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se në këto e-maile, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump”.
Trump Jr. ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij dhe kjo vërtetohet më së miri në këto e-maile, të cilat janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i presidentit Trump ishte angazhuar me vetëdije në atë që quhet përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje.
Emailet i ka publikuar vetë djali i presidentit në tëitterin e tij, ku shprehet se po e bën këtë për të qenë tërësisht transparent.
Në njërin nga emailet dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si “avokate të qeverisë ruse”.
E-mailet me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr. i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin” zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Goldstone i shkruante zotit Trump Jr. se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr. me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr. në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.
“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës,” iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr. në një nga emailet, të cilat datojnë në fillim të qershorit 2016. (D.D/Shuplaka)