Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Angel Maria Villar, 67 vjeç është arrestuar mëngjesin e sotëm , ai akuzohet për abuzime financiare në ndeshjet që ka zhvilluar seleksioni spanjoll i futbollit.
Të arrestuar janë edhe persona të tjerë, mes të cilëve djali i tij Gorka dhe një drejtues i lartë i federatës.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se arrestimet janë kryer në kuadrin e një hetimi për korrupsion.
Në një njoftim të Gardës Civile, që ka realizuar arrestimet thuhet “Presidenti i RFEF akuzohet për abuzime financiare në ndeshjet që ka zhvilluar seleksioni spanjoll i futbollit me seleksione të tjera, duke i siguruar të ardhura financiare edhe të birit”.
Ndërkohë edhe Zëdhënësi i qeverisë spanjolle, Inigo Méndez de Vigo, ka reaguar menjëherë lidhur me arrestimin e tij në televizionin publik, duke theksuar se “Asnjë person nuk është i paprekshëm, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”. (S.SH/Shuplaka)