Kryebashkiakja e Shkodrës është revoltuar me drejtuesit e klubit të Vllaznisë. Gjatë një takimi të mbajur dje mes drejtuesve të klubit ka qenë e pranishme edhe Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, e cila ka debatuar ashpër me drejtuesit e klubit
Në takim ishin të pranishëm kryetari i këshillit të qarkut, Xhemal Bushati, si dhe anëtarët e këshillit të komisionit të sporteve, të kryesuar nga Vioresin Sinani.
Në mbledhje ishin gjithashtu administratori i Vllaznisë, Gjyrezi, drejtori sportiv Zeka dhe trajneri Cungu.
Sipas “Panorama Sport” Kyetarja Ademi gjatë fjalimit të saj ka thënë se ka çuar disa lojtarë në Prokurori për trukim ndeshjesh por nuk bëri të ditur emrat e tyre.
Nga drejtuesit ka kërkuar që të gjenden lojtarë cilësorë për të formuar një ekip dinjitoz.
“Unë nuk do të kursej asnjërin prej jush, nëse nuk arrini të gjeni lojtarë cilësorë për Vllazninë. Janë hapur fjalë se unë kam dashur të hedh Vllazninë, por kjo nuk ka se si të ndodhë. Unë dua prej jush të gjeni lojtarët që na duhen për një ekip dinjitoz. Nuk dua justifikime, por dua ta bëni ekip.
Kam çuar në Prokurori emrat e lojtarëve që kanë marrë pjesë në shitjet e ndeshjeve. Ta zgjidhin ata këtë çështje. Nuk jap emra kush janë lojtarët, por ju do t’i mësoni të gjithë kur të thirren”, ka thënë Ademi.
(B.H/Shuplaka)