Ish-ministri i drejtësisë ylli Manjani, ka reaguar pas lajmit se kryetari i bashkisë Erion Veliaj, ka dërguar për ndjekje penale organizatorët e protestës së djeshme, kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm.
“Çon popullin që proteson për ujin në ndjekje penale?! Po ky sikur e ka aleat te ri popullin! Ja pra që prap ja kanë fajin aleatët..”, shkruan Manjani.
Kujtojmë se një ditë më parë, qytetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile u ngritën në protesta, kundër vendimit të Bashkisë për të rritur çmimin e ujit.
Ndërkohë që mbledhja e dy ditëve më parë nuk filloi në orarin që ishte përcaktuar, pra në 18:00, por rreth 50 minuta më vonë.
Për këtë arsye këshilltarët e LSI-së ishin larguar nga salla, duke lënë të pranishëm vetëm këshilltarët e PS-së, PDIU-së dhe 1 të FRD-së si edhe ata të PD-së.
Kreu i Këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli bashkë me këshilltarët e tjerë të kësaj force politike u larguan nga salla ku po zhvillohej mbledhja. Me largimin e tyre, si edhe atyre të LSI-së nuk plotësohej kuorumi për t’u zhvilluar mbledhja. Mirëpo ndërkohë që këta debatonin, në sallë u rikthyen Agim Kraja dhe Genta Mezini nga LSI-ja. Bashkë me këta, numri i anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit shkonte në 31, duke plotësuar kështu kuorumin. Rritja e çmimit të ujit u votua me të gjitha votat e të pranishmëve, 25 anëtarëve të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 të FRD-së. (D.D/Shuplaka)