I është hapur drita jeshile që në vitin 2015, por jo më larg se disa ditë më parë, një kompani ka kërkuar marrjen e koncesionit të lejeve të qarkullimit.
Procedura ligjore është hapur që në vitin 2015. Në Ministrinë e Transporteve ka mbërritur një ofertë e pakërkuar, ku nga sa mësohet një kompani ka bërë kërkesën për koncesionimin e lejeve të qarkullimit.
Në këtë fazë është ngritur një grup special pune nga ministria dhe ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve) ku po diskutohet e gjithë kërkesa.
Koha e zakonshme për diskutime të tilla nga specialistët mund të zgjasë 2-3 muaj, mbase edhe 1 vit.
Ministria e Transportit dhe Infrastruktures donte të jepte me koncension në fillim të 2016-ës lejet e qarkullimit. Kjo nismë u rrëzua sepse pati kundërshtim të fortë nga Drejtoria e Përgjithshme e shërbimit të Transportit Rrugor sepse i hiqej kësaj drejtorie dhe i jepej privatit, gjithashtu nuk kishte bazë ligjore dhe e rriste shumë tarifën.
Ndërkohë që Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka sqaruar në një deklaratë se nuk ka shpallur asnjë garë për dhënien me konçesion të këtij shërbimi.
”MTI, sqaron se shqyrtimi i kërkesave për kryerjen e shërbimeve të përcaktuara në ligj dhe vendimet e Qeverisë përmes partneritetit publik-privat, janë detyrim i institucionit përgjegjës dhe Agjensisë të Trajtimit të Konçesioneve (ATRAKO).”, thekson MTI.
Sipas burimeve zyrtare deri tani kompania nuk ka propozuar ndryshime në çmim. Por tarifa e re, siç mëson ”Shuplaka” do jetë rreth 50 euro në vend të 3500 lekë që kushton aktualisht targa bashkë me lejën e qarkullimit.
Sërish, mungon baza ligjore dhe kësaj radhe synohet të anashkalohet tërësisht Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Pra, një pjesë shërbimesh do i ngelen Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit dhe një pjesë që nuk kanë kosto, thjesht printimi i kartonave po i kalohet privatit. /SHUPLAKA