Largimi nga Shqipëria i kompozitorit Shpëtim Saraçi dhe këngëtares së njohur Mira Konçi shkaktoi dje një jehonë të vërtetë.
Ndërsa vetë Saraçi duke folur për herë të parë për këtë situatë është shprehur se ende nuk e ka vendosur mirëpo ka shpjeguar disa nga arsyet që mund ta shtyjnë të qëndrojë në Amerikë.
Kompozitori shprehet se këtë hap, nëse do ta ndërmarrë, do ta bëjë për të ardhmen e fëmijëve, për shkollimin e tyre në një sistem të konsoliduar arsimor.
“Ajo që është e sigurt, është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë… Për të tjerat, çdo gjë është fakultative.
Di që departamentin e punës në RTSH që drejtoja, na e shkrinë (një redaksi me traditë 55-vjeçare) në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës.
Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri (ku pësova edhe trauma shëndetësore, që mund të më kushtonin edhe jetën) prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”, u shpreh Saraçi për ”Panoramën”.
Në kuadrin e reformimit të Radio Televizionit Publik Shqiptar, mes shumë ndryshimesh, u shkri edhe Departamenti i Krijimtarisë Muzikore, ku punonin tre mjeshtëra të muzikës shqiptare: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali.
Shkrirja e këtij departamenti, do të shkrinte edhe pozicionet e tre kompozitorëve më në zë të muzikës shqiptare. Ndoshta kjo do të jetë dhe një nga arsyet kyç pse Saraçin e lidhin më pak gjëra me Shqipërinë. (E.K/SHUPLAKA)