Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se rreth 400 subjekte në zonat turistike, mes të cilave markete, restorante, “fast food” dhe pastiçeri kanë rezultuar jashtë kushteve higjeno-sanitare.
Sipas AKU-së janë kryer rreth 1300 inspektime në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe Lezhë nga muaji qershor në muajin gusht. Autoriteti thotë se ka paralajmëruar 377 operatorë për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare, kryerjen e analizës së ujit, pajisjen me libreza shëndetësore të personelit dhe hartimin e planit të masave kundër dëmtuesve, brejtësve dhe insekteve.
7 biznese në zonën e Vlorës nuk kanë korrigjuar parregullsitë brenda afatit dhe ndaj tyre AKU ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë në vlerën e 950 mijë lekëve. AKU thotë se në dhjetra raste ka analizuar kampionët e vajit për skuqje në restorante dhe në “fast food”, por vlerat kanë rezultuar brenda standardeve. (J.V/Shuplaka)