Me vetëdije dje ”Shuplaka” zgjodhi të mos publikonte foton e tre fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në Romanat të Durrësit. Një ngjarje e rëndë, e mbuluar nga redaksia kryesisht me disa foto të verandës ku dukeshin vetëm mobiljet e shkrumbuara.
Një pjesë e medieve zgjodhën jo vetëm të publikojnë foto të hershme të trinjakëve të ndjerë, duke u kujdesur të mbulonin fytyrat e tyre, por edhe trupat e shkrumbuar, edhe pse me pamje të vagullta.
Makutëri e madhe kjo për pak audiencë më shumë. Çfarë interesi mund të ketë publiku për të parë trupat e karbonizuar? Çfarë interesi mund të ketë publiku për të parë trupin e të miturve kur ishin gjallë, teksa u dukeshin vetëm pantallonat dhe atletet?
Gazetaria e ”shqyrjes” së njeriut në ditën më të dobët, në tragjedinë e tij. A duhet të marrë fund? A duhet të ketë një kufi? A duhet të ngrihet zëri për pak privatësi edhe nga ne gazetarët që duam ta shkelim atë herëpashere?!
Nuk është rasti i parë ky i Romanatit në Durrës. Kështu ka ndodhur edhe kur një grua u nxor me emër dhe me mbiemër në momente dhune nga kunati i saj dhe familjarët e bashkëshortit, teksa filmohej kur flinte me të dashurin në sy të fëmijëve, sipas versionit interpretuar nga media që publikonte videon.
Mund të kemi qenë gabim, por klithmat e një nëne, me gjasë familjare, që i urdhëronte kameramanët dhe gazetarët të dilnin jashtë na nxitën të shkruajmë këtë mëngjes.
Le ta lëmë nënën fatkeqe të trinjakëve në tragjedinë e saj.
A mund të ketë vend për lajme të reja?! Po. Por a do t’i sillte klikime një medie konfirmimi i ekspertizës se shkak ishte një shkrepëse e ndezur?!
(V.G/Shuplaka)