Në Këlcyrë janë sekuestruar nga policia 3.5 kilogramë drogë e llojit Cannabis Sattiva e cila ishte në proces tharrje në një kasollë. Në prangat e policisë ra Ferik Goxhaj, 69 vjeç, banues në fshatin Kumarak.
DETAJE:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, gjithashtu dhe në vijim të kontrollit të territorit, si dhe mbi bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se në banesën e shtetasit Ferik Goxhaj, në fshatin Komarak, Këlcyrë kishte lëndë narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër kanë organizuar punën për goditjen e këtij rasti.
Si rezultat, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë, në një kasolle u gjetën 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, në proces tharje. Gjithashtu në afërsi të banesës së këtij shtetasi, në një ambjent të hapur u gjetën të kultivuara 10 bimë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, të cilët u asgjësuan në vend me anë të djegies.
Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit : Ferik Goxhaj, 69 vjeç, banues në fshatin Kumarak, Këlcyrë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme. (J.V/Shuplaka)