Europa është në prag të dhënies së verdikteve sa i përket Botërorit të vitit të ardhshëm në Rusi. Në kontinentin e vjetër, janë pikërisht 30 kombëtare futbolli që do të bëjnë gjithçka është e mundur për të siguruar një biletë, për 11 vendet e mbetura për kualifikim në kampionatin botëror.
Nga e enjtja e deri të martën e javës së ardhshme zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit në grupe, që do të përcaktojnë 7 kombëtare që do të kualifikohen drejtpërdrejt, e më pas do të priten ndeshjet e “play off”-eve për të mësuar edhe 4 të kualifikuarat e fundit. Deri më tani, e vetmja e kualifikuar drejtpërdrejt nga grupet është Belgjika, pa llogaritur Rusinë si vend organizator, shkruan ‘’TCH”.
Duket se gjithçka ka përfunduar për Republikën Çeke, Hungarinë, Norvegjinë dhe Rumaninë, ndërsa shpresat janë ende të gjalla për një vend në “play off” për Shqipërinë, Austrinë, Bosnje-Hercegovinën, Greqinë dhe Holandën, me këtë të fundit disi më mbrapa të tjerave. Ndërsa shumë pranë prerjes së biletës, që nga Gjermania kampione bote në fuqi, e deri te Mali i Zi fqinj.
Ja situata në secilin grup:
Grupi A – Franca ka sy e veshë nga Suedia. Do të jetë e para e grupit nëse fiton në Bullgari dhe suedezët dështojnë në Stokholm ndaj Luksemburgut, përndryshe në ndeshjet e fundit, “gjelat” duhet të mposhtin Bjellorusinë dhe të shpresojnë që Holanda, e cila e mbyll në Amsterdam ndaj Suedisë, të japë më të mirën në duelin vendimtar se cila nga këto dy ekipe do të shkojë në “play off”.
Grupi B – Zvicra është një hap larg Rusisë, aktualisht ka 3 pikë më shumë sesa Portugalia, të cilat kanë blinduar dy vendet e para. Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij duhet të marrin të njëjtin rezultat e të njëjtën sasi pikësh ndaj Andorrës, sa do të marrin edhe helvetët, për të pasur mundësi të ndajnë gjithçka në përballjen e drejtpërdrejtë në Lisbonë mes dy kryesueseve.
Grupi C – Gjermania kampione e Botës regjistron 8 fitore në 8 ndeshje, kështu që do t’i mjaftonte edhe një barazim në Belfast të Irlandës së Veriut për t’u kualifikuar direkt. Irlandezo-veriorët janë matematikisht të dytët. Nëse do të synonin vendin e parë u duhet një mrekulli: dy fitore për ta dhe dështim i Gjermanisë në ndeshjen e fundit.
Grupi D – Serbisë i duhet të fitojë në Austri për të qenë e para, ose të barazojë në rast se Uellsi dhe Republika e Irlandës nuk fitojnë ndeshjet e tyre. Nëse këto të dyja fitojnë, do të luajnë në fund në ndeshjen direkte, ndërsa Austria do të shpresojë ende për vendin e dytë, sigurisht nëse arrin rezultat pozitiv ndaj Serbisë më parë.
Grupi E – Polonia që kryeson me 3 pikë më shumë siguron biletën nëse fiton në Armeni, shoqëruar me barazimet e Danimarkës dhe Malit të Zi, dy pretendentët e tjerë për vendin e dytë.
Grupi F – Anglia do të kualifikohej drejtpërdrejt në “Rusi 2018” nëse mposht Slloveninë në “Ëembley”, ose edhe nëse barazon po të mos fitojë Sllovakia. Kjo e fundit, ku luan edhe Hamsik, duhet të mposhtë Skocinë dhe të shpresojë në humbjen e sllovenëve, për të siguruar “play off”-in.
Grupi G – Spanja është në avantazh ndaj Italisë, si me përballje direkte, edhe me golavarazh, kështu që e ka thuajse të sigurtë kualifikimin (me përjashtim të humbjeve në dy ndeshjet e fundit). Ndërsa për Italinë nevojitet të paktën 1 pikë ndaj Maqedonisë apo Shqipërisë, për të siguruar matematikisht “play off”-in.
Grupi H – Këtu Belgjika ka blinduar vendin e parë, me 22 pikë apo 8 më shumë sesa vendi i dytë. Bosnja dhe Greqia janë në duelin e ethshëm për mundësinë tjetër që të jep “play off”-i. Bosnja ka një pikë më shumë sesa Greqia, por përballet me Belgjikën në Sarajevë, ndërsa grekët vizitojnë qipriotët. Nëse ruhet kjo distancë, gjithçka do të vendoset në fund, kur Greqia të luajë ndaj Gjibraltarit dhe Bosnja të presë Estoninë.
Grupi I – Ky është grupi me ekuilibrin dhe rivalitetin më të madh. Kroacia dhe Islanda janë një hap përpara Turqisë dhe Ukrainës, por gjithçka është e mundur.