Elvira Diamanti pas katër vite në Krye të Arkivave Qendrore Shtetërore të filmit, ka dhënë dorëheqjen nga ky pozicion. Në vend të saj drejtoreshë e këtij institucioni është emëruar Iris Elezi.
Regjisorja Iris Elezi erdhi në krye të AQSHF-së, pas përfundimit të konkurrimit për vendin e lirë për pozicionin e Drejtorit të këtij institucioni.
Elezi, ka kryer studimet për producente filmash në Universitetin e Nju Jorkut në vitin 2001. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e kulturës në faqen e saj zyrtare.
Postimi i Ministrisë së Kulturës:
Pas përfundimit të procedurave të konkurimit të hapur dhe publik për pozicionin Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës , referuar procedurave të ndjekura nga komisioni i ngritur për vlerësimin e dosjeve konkurruese
Znj. Iris Elezi përmbush kërkesat në përputhje me kriteret e vendosura.
Për sa më sipër, në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë , pikës 2 të : Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 ‘”Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, si dhe të nenit 14 të Statutit të AQSHF-së.
Znj. Iris Elezi emërohet në pozicionin “Drejtor, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit”.
Falenderojmë pjesëmarrësit në këtë konkurs dhe i urojmë suksese drejtores në këtë detyrë.
(E.K/SHUPLAKA)