Ditën e sotme ministri i jashtëm Ditmir Bushati do të niset ditën e sotme në një vizitë zyrtare në Greqi.
Ai do të takohet në Kretë homologun e tij grek Nikos Kotzias, ku ndër të tjera pritet të diskutojë e zgjidhë marrëveshjen e ngrirë për detin.
Ky ka qenë diskutimi i bërë dje edhe në Komisionin Parlamentar ku ishte Bushati dhe nuk mungoi as përballja me opozitësn.
“Kemi Gjykatën Kushteteuse që ka marrë një vendim 9 me 0 dhe kemi një ish-kryetar të PD dhe ish-kryeministër, të cilin ju e mbështetet edhe atë ditë, edhe sot. Ai tha disa gjëra të tmerrshme. Tha që është bërë për emër të të tretëve, tha që ajo marrëveshje do ekzistojë ashtu dhe tha që kishim korruptuar Gjykatën Kushtetuese. Me këtë lloj standardi mund t’ju them, në djall vaftë konsensusi! Me një standard anti-kombëtar që i thotë Gjykatës Kushteteuse ‘je e blerë’”, deklaroi Bushati.
“Jo, morët mbi veten tuaj një guxim shumë të madh që ta quani opozitën anti-kombëtare. Mua më vjen keq që ministri i Jashtëm bën këtë deklaratë, kështu që mirupafshim”, reagoi deputeti demokrat Tritan Shehu dhe u largua nga komisioni.
Në të njëjtën kohë, në Athinë opozita e atjeshme ka qenë e ashpër me ministrin Kotzias. Nea Dhimokratia i kerkoi ministrit të Jashtëm të raportojë lidhur me mënyren se si u përcaktua axhenda e bisedimeve të Kretës.
(E.K/FAXWEB)