Ishte prilli i 2015-ës kur Haki Çako, numri 2 i Policisë pasoi Artan Didin dhe mori në drejtim Policinë e Shtetit. Çako njihej në atë periudhë për kontributin e tij si një drejtuesit e operacionit anti-kanabis në Lazarat.
Nga Prilli i 2015-ës Çako është drejtuesi më ‘jetëgjatë’ në Policinë e Shtetit.
Gjatë kohës që Çako drejtoi uniformat blu, një numër i madh skandalesh kanë përfshirë ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
Çako ishte në krye të Policisë kur në Rinas u kap një pajisje e cila u dyshua se kryente përgjime, “Imsi Catcher”.
Gjykata e Tiranës, për këtë çështje e pezulloi Çakon nga detyra, por Apeli e rrëzoi këtë vendim duke rikthyer Çakon në krye të detyrës.
Në 3 vitet që Çako kishte ‘timonin’ e Policisë së Shtetit, vendi u kanabizua duke u kthyer në vendin kryesor të furnizimit të kanabisit në Evropë.
Tonelata kanabisi janë kapur në brigjet italiane me vend origjine Shqipërinë.
I njohur si krahu i djathtë i ish-ministrit Saimir Tahiri, Çako është etiketuar në këto 3 vite nga opozita si “Haki droga”.
PD-ja e ka lidhur figurën e Çakos drejtëpërdrejtë me trafikun e hashashit, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Tensionet politike mes palëve arritën kulmin kur presidenti i Republikës, Ilir Meta, ende pa bërë betimin, gjatë fushatës zgjedhore të 25-qershorit e quajti Çakon ‘Haki droga’.
Dy muaj më parë, plasi skandali i tre oficerëve të Policisë, që Prokuroria e Krimeve të Rënda i shpalli në kërkim si të lidhur direkt me trafikun e kanabisit, pasi kishte prova të forta se ata kishin ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës për mbjelljen e kanabisit.
Ende dhe sot tre oficerët nuk janë kapur, e përgjigjet e Kryepolicit Çako kanë tërhequr vëmendjen tek rezultatet “spektakolare” të operacionit Forca e Ligjit.
Në 3 vitet e drejtimit të Çakos dhe Tahirit, trafiku i drogës u mirëstrukturua në vendin tonë, aq sa avionë me drogë uleshin dhe ngriheshin pa iu hyrë gjemb në këmbë.
Ndërsa sot, Çako largohet me kokën ulur, duke thënë se ishte në dijeni të ndryshimeve që do bëheshin në Policinë e Shtetit.
Nga ana tjetër, ministri Xhafaj në ‘letrën e lamtumirës’ bën me dije se Çako ishte i ngadaltë dhe se ritmi i Policisë së Shtetit duhet të jetë tjetër.
Daljet e tyre publike janë tejet të rralla, aq sa mund të numërohen me gishtat e dorës. Madje dhe kur ministri italian i Brendshëm erdhi në Tiranë, Çako nuk u pa në pritjen para ministrisë së Brendshme.
Në këto rrethana, Haki Çako do mbahet mend për dy gjëra: 1. Kanabizimin e vendit
2. “Besnikërinë” ndaj Tahirit.
Megjithëse Xhafaj sapo erdhi në krye të detyrës tha me zë e me figurë se Policia ka kontribuar në mbjelljen e kanabisit asnjë peshë nuk zunë këto deklarata në pozitën e Çakos, të cilin Rama e quante drejtues të një Policie që ka dhënë rezultate spektakolare në luftën kundër kanabisit.
(F.G/Faxweb)