Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe, reagon Kryemadhi: Hap emancipues
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni. Kryemadhi thotë se ky është hap emancipues shtetëror.
“Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet; dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur”, shkruan Kryemadhi.
POSTIMI I PLOTË:
Pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të ditës së alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror.
Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet; dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur.
Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë.
Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit!
Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres.
(B.H/Faxweb)