Pas takimit me kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, Prokurori Kombëtar italian i Antimafias, Federico Cafiero De Raho foli për gjendjen e grupeve kriminale shqiptare. De Raho foli me gjuhë të drejtpërdrejt duke thënë se ato janë kthyer tashmë problem në shtetin fqinj sepse kanë arritur të shtrihen gjërësisht në të gjithë territorin dhe kanë krijuar lidhje me grupet mafioze më të rrezikshme.
Prokurori Italian i antimafias tha se grupet shqiptare fillimisht kontrollonin trafikun e drogërave të lehta dhe të armëve ndërsa tashmë kontrollojnë edhe trafikun e kokainës.
Sipas De Rahos, në fillimet e tyre, aktiviteti i kriminelëve shqiptarë ishte kryesisht në jug të Italisë, ndërsa tani ata janë përhapur edhe në Italinë qendrore e atë veriore.
“Kriminaliteti shqiptar është shumë i pranishëm në Itali, në aleancë me mafian italiane dhe format e tjera kriminale. Hetimet që po zhvillohen në Itali janë të shumta dhe shqetesim i madh vijon të mbetet trafiku i kokainës. Edhe në Shqipëri, mafia është e lidhur me politikën.
Prokurori De Raho tha se është duke punuar me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj për iniciativat e përbashkëta në drejtim të krijimit të task forcës anti-mafia.
(E.L/Faxweb)