Në një deklaratë për mediat, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka thënë se gjatë mbjedhjes së Komisionit të Emergjencave Civile në Shkodër, kreu Shemsi Prençi ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Bashkia për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në zonat e përmbytura.
Ndërkohë që kryetarja e Bashkisë, Ademi e ka informuar se kërkesa i është nisur Ministrisë së Mbrojtjes që më datë 9 mars.
Bashkia e Shkodrës e ndjen për detyrë të informojë opinionin publik, veçanarisht banorët në zonat e përmbytura në territorin e saj sa më poshtë:
Në mbledhjen e datës 15 mars 2018 të Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut, z. Shemsi Prençi është shprehur se nuk ka marrë asnjë kërkesë dorazi nga Bashkia e Shkodrës për shpalljen e emergjencës civile në zonat e përmbytura nga shkarkimet e HEC-eve në disa njësi administrative.
Në mbledhjen e datës 16 mars 2018, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi e ka informuar përmes dokumenteve z. Prençi që shkresa e nisur nga Bashkia e Shkodrës ka mbrritur në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë përmes postës me datë 13 mars 2018, pasi është nisur nga Shkodra me protokoll me datë 9 mars 2018.
Në të njëjtën mbledhje, zj. Ademi i ka kujtuar z, Prençi që një shkresë e protokolluar, siç e kishte kërkuar ai një ditë më parë, i është dorëzuar personalisht në mbledhjen e datës 9 mars 2018. Dorëzimi i shkresës nga zj. Ademi fatmirësisht është dokumentuar edhe nga mediat. Madje z. Prençi edhe e ka shfletuar atë gjatë mbledhjes.
Na vjen keq ta pohojmë, por mbase nga ngarkesa e punës së tij në terrenin e përmbytjeve, z. Shemsi Prençi- drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile të Republikës, ka thënë një të pavërtetë ne prani të antarëve të Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut Shkodër, natyrisht edhe në prani të mediave.
Më poshtë gjeni linkun e plotë të videos qe dokumenton sa më sipër themi si dhe dy foto të shkëputura nga ai filmim, ku z. Prençi jo vetëm merr shkresën dorazi nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, por edhe e shfleton atë personalisht.
(E.L/Faxweb)