Koço Kokëdhima, kryetari i ‘zgjidhjes’,ka denoncuar ashpër mënyrën se si sistemi politik në vend është shndërruar në një treg.
Sipas Kokëdhimës i cili ka qenë edhe vetë deputet I Partisë Socialiste, individë të dyshimtë për interesa përfitimi, apo për të mbrojtur veprimtarinë e tyre kriminale, paguajnë shuma marramendëse për të kandiduar për deputet apo kryetar bashkie, tek kryetarët e partive, apo te kupola e ngushtë e forcave kryesore politike.
“Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro.
Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie? Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë”, shkruan kreu i Zgjidhja.
Gjithashtu ai zbërthen edhe skemën se si partitë e vjetra sipas tij, përdorin financat për të lobuar jashtë vendit me synim forcimin e pushtetit të tyre në Shqipëri, gjithmonë në funksion të përfitimeve.
“Është bërë “normale” tashmë që kryetarët e partive të vjetra shqiptare paguajnë qindra-mijëra dollarë për një foto me Barack Obama-n apo Donald Trump-in. Kërkojnë të blejnë nga pak nder! Duan t’u hedhin hi syve njerëzve, të dëshmojnë se janë shumë më të rëndësishëm se sa i vlerësojmë ne në këtë provincën tonë.
Duan të manipulojnë veçanërisht militantët fanatikë të partive të vjetra që këta të fundit të turren me thika në gojë dhe të shqyejnë zgjedhjet dhe shtetin për t’i dhënë pushtet kryetarit të tyre të pander që do të sundojë në katër vitet që do vijnë! Paratë e kryetarëve të partive të vjetra janë para droge e kriminelësh. Ja pse shumë kriminelë i shohim në parlament, disa të tjerë fitojnë tenderat e qeverisë dhe të tjetër akoma emërojnë drejtorët e shtetit.
Drejtorët mbledhin para gjatë ditës duke grabitur popullin, në mbrëmje i ndajnë me kryetarët e partive dhe padronët e tyre kriminelë. Për të punuar me fondet publike e përfituar koncesione duhet të paguash kryetarët e partive të vjetra me shuma marramendëse e pjesë të biznesit që shkojnë nga 20 deri në 50 për qind të kontratës apo të kapitalit”, denoncon Kokëdhima.
(E.K/FAXWEB)