Presidenti Donald Trump tha se Amerika “duhet të tregohet më e ashpër” me trafikantët e drogës dhe masat duhet të përfshijnë përdorimin e dënimit me vdekje.
Ai e paraqiti planin për të luftuar varësinë vdekjeprurëse nga opioidet në një fjalim që mbajti të hënën në Mançester të shtetit Nju Hempshër, shtet ku përdorimi i drogave është tepër problematik.
Presidenti Trump tha se “dështimi nuk është alternativë” dhe deklaroi se “varësia nga droga nuk është e ardhmja jonë”.
Ai u zotua se do të bëjë gjithçka për të ndihmuar në përpjekjet për krijimin e një brezi fëmijësh pa drogë. Presidenti u ankua se, sipas ligjit aktual, një trafikant mund të shesë një drogë që vret qindra njerëz, e megjithatë merr një ndëshkim minimal.
Mbetet e paqartë se si mund të kërkojnë prokurorët dënimin me vdekje për trafikantët pa ndryshuar ligjin. Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se çështja ndoshta duhet të vendoset nga Gjykata e Lartë.
Kjo është vizita e parë e zotit Trump në shtetin Nju Hempshër si president.
Burimi: VOA